Dashuria italiane e Ramës: Japim ujë, marrim emigrantë

Nga AlbEu.com

Kthimi i Shqipërisë në një kamp refugjatësh ilegalë, trazoi edhe njëherë “ujërat” politike e gjeopolitike në vendin tonë.

Deklarata e kryeministrit Edi Rama bërë gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me kryeministren e Italisë, Georgia Meloni, ku u theksua se Shqipëria do të ndërtojë në veri të vendit disa kampe refugjatësh, ku do të strehohen të gjithë emigrantët ilegalë që do të tentojnë të hyjnë në Itali, ka sjellë komente të shumta në opinionin publik shqiptar.

Për më tepër që numri i emigrantëve ilegalë që do të strehohen në vendin tonë do të jetë 30 mijë çdo muaj.

Pas afganëve, iranianëve tashmë radhën për të mësyrë në vendin tonë e kanë emigrantët që vijnë nga Lindja e Mesme.

Italia është mbështetësja kryesore që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Marrëveshja e sotme është shumë e rëndësishme. Ne jemi në  Europë, jemi një shtet evropian. Ne nuk do e bënim këtë marrëveshje me asnjë vend tjetër, me gjithë respektin. Me një ndryshim historik kulturor. Të paguajmë atë borxh ndaj Italisë, flas për ditën e parë që kemi ardhur në brigjet italiane. Në raste të tjera, nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet“, tha ndër të tjera Rama.

Ajo që u kuptua në deklaratën e përbashkët mes Melonit dhe Ramës, ishte vetëm që ngritja e kampeve do të financohej nga qeveria italiane, dhe se emigrantët e paligjshëm do të qendrojnë në vendin tonë deri në momentin që do tu kthehet një përgjigje nga Italia nëse u pranohet ose jo kërkesa për azil.

Por ajo që e bën këtë histori edhe më të komentuar, apo le të themi më mirë kthimin e saj në një burim të madh konspiracionesh, është se marrëveshja Rama-Meloni u mor vesh se çfarë përmbante vetëm pas nënshkrimit të saj.

Në një kohë kur qytetarët prisnin marrëveshjen për pensionet mes dy vendeve, erdhi si “rrufe” në qiell të hapur ngritja e kampeve të refugjatëve.

Ndërkohë ajo që u vu re në deklaratat e dy kryeministrave ishte “dashuria” e zjarrtë e tyre ndaj vendeve fqinje, ajo e Ramës për Italinë, dhe e Melonit për Shqipërinë.

E kur ka dashuri marrdhëniet bëhen dhe më të forta. Por siç dihet në dashuri jo vetëm merret (si në rastin konkret Shqipëria merr emigrantët), por edhe duhet të japësh.

Po çfarë mund t’i japë Shqipëria Italisë?

Një pyetje që nuk ka nevojë për përgjigje, pasi ka ironinë brenda saj, pasi çfarëdo lloj gjëje që Shqipëria mund t’i ofrojë Italisë, do të dëmtonte ekonominë dhe qytetarët shqiptarë, ndryshe nga rasti i emigrantëve ku përfiton Italia dhe aspak vendi jonë.

Duhet theksuar se marrëveshja për emigrantët nuk është e vetmja “surprizë” për vendin tonë, pasi vetëm pak muaj më parë, një tjetër surprizë po kaq e hidhur ishte ajo në të cilën përfshihej furnizimi me ujë të pijshëm i qytetarëve italianë të Puljas përmes Syrit të Kaltër.

Në 15 qershor të këtij viti një tjetër marrëveshje u nënshkrua mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, por që u bë publike vetëm pasi doli në mediat përtej Adriatikut, ku theksohej se Italia kishte arritur mrëkuptimin me Shqipërinë për një projekt shumë të madh për qytetarët e Puljas, të cilët do të furnizoheshin direkt nga uji i Syrit të Kaltër.

Edhe pse Syri i Kaltër mbrohet nga UNESCO, kjo nuk i ka penguar aspak dy qeveritë për të hartuar projekte, nga të cilat do të “përfitonin” të dy vendet.

Çfarë përfshin projekti i 15 qershorit?

Shfrytëzimi i Syrit të Kaltër nga ana e Italisë nuk është një projekt i ri për hir të së vërtetës, pasi fillesat i ka që prej vitit 2001, ku sërish në qeveri ishin socialistët, kohë kur kryeministër ishte Fatos Nano.

Aty ishte parashikuar që me realizimin e një vepre të tillë të transferohet në Puglia nga burimet ujore shqiptare një prurje e vazhdueshme jo më e vogël se 4m3/sek që do të thotë 120 milion m3/vit, e drejtuar drejtpërdrejt në rezevuarin ekzistues të Galugnanos nga i cili do të shpërndahet duke përdorur rrjetin ekzistues atje. Sipas studimeve kostua do të ishte 2.000 miliard lireta (Llogaria e bërë në periudhën kur ende në Itali qarkullonte Lireta).

Tubacionet pas një përshkimi prej 100km në territorin shqiptar, me tubacione ujorë prej 85 km kalojnë kanalin e Otrantos, në një thellësi maximale 855 metra. Projekti parashikon tërheqjen e 5.5 m3/sek ujë nga Syri i Kaltër. Destinacioni përfundimtar në brigjet e Pulies do të ishte jo më pak se 4m3/sek. Në projekt ishin parashikuar disa degëzime në shërbim të qendrave nga kalojnë tubacionet dhe të zonave bregdetare që janë të destinuara për zhvillim turistik me një prurje prej 0,7 m3/sek, pothuaj asgjë. Në projektin e ri është parashikuar të transferohen 150 milion m3 ujë në vit, që do të thotë që edhe ajo sasi (një curril) uji e parashikuar për zonat nga kalojnë tubacionet të jetë hequr fare. Përfitimet e rajonit të Pulias, një rajon shumë i varfër në rezerva ujore, që po shkojnë drejt shterimit të plotë do të jenë shumë të mëdha, prandaj qeveria italiane për këtë investim të ri një miliard dollarësh, që do të realizohet për katër vite, është shumë entuziaste.

E pas këtyre dy “suprizave” që vijnë pas dashurisë Rama-Meloni, me të drejtë çdo qytetar i Shqipërisë do të bënte dy pyetje, për të cilat qeveria shqiptare do të duhet të përgjigjet?

Çfarë ndodh nëse Syri i Kaltër kjo mrekulli natyrore dhe shumë tërheqëse për turistët futet në tubacione dhe kalon në Italinë e Jugut?

Si do të mund t’i menaxhonte Shqipëria mijëra emigrantë ilegalë, në një kohë kur krimi i organizuar, droga, bastet e paligjshme vijojnë të jenë një gangrenë që po hanë çdo ditë shoqërinë shqiptare?


Shtuar 6.11.2023 17:41