Ditën e sotme, Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, teksa ka marrë zyrtarisht detyrën nga kryeministri Rama, ka renditur tre gjëra të cilat i ka të panegociueshme në punë e tij.
“Unë ju garantoj sot këtu, në ditën e parë, që unë tre gjëra i kam të panegociueshme dhe do i zbatoj. Në radhë të parë, përkushtimin tim 24 orë, telefoni im do jetë i hapur dhe nëse do ketë një çast të vetëm që kushdo do t’i bjerë dhe unë s’do përgjigjem në çast… E kam numrin publik, e kam thënë se përkushtimi do jetë maksimal, do punojmë bashkë për ato detyra që na jep ligji, për ato reforma të rëndësishme”, tha Dashnor Sula.
Së dyti, ai përmendi integritetin e tij moral dhe trupës së institucionit, për të cilën premtoi se do ketë përmirësim të dukshëm, ndërsa paralajmëroi se asnjë person nuk do futet në punë përmes ryshfetit.
“E dyta, ju garantoj për integritetin tim moral dhe të gjithë trupës së inspektorëve, nuk ju premtoj se gjithçka do jetë mrekulli, por përmirësimi do të jetë i dukshëm, duke filluar që nga rekrutimi, masat disiplinore dhe deri në masat ndëshkuese që do këtë drejtësi”, premtoi ai, ndërsa shtoi se; “zero njerëz që do futen në punë përmes ryshfetit apo korrupsionit”, duke thënë se çdo inspektor do të jetë në nivelin e duhur profesional.
Së treti ai tha se: “Do të ketë drejtësi nga mua i pari me inspektorët, ata me vartësit e tyre, e deri te i fundit. Do të krijojmë një frymë pozitive për biznesin dhe sfida që na ka vërë përballe kryeministri, është dixhitalizmi i sistemi dhe ndërtimi i një sistemi jo në kuturu, siç ka qenë vite me parë, por të shkojmë te bizneset në saj të indikatorëve të riskut, por në ndërtimin e një sistemi parandalimi dhe mbrojtje të interesit publik”.
Në mbyllje të fjalës së tij, Sula i dha fjalën kryeministrit se sfida që ai i ka dhënë do të përmbushet në bashkëpunim me inspektorët e tjerë.
“Ajo dorashkë që më keni hedhur, ajo sfidë që më keni vënë përpara, do ta përmbushim bashkë me këto gra dhe burra. Do ju nderojmë dhe inspektimi do jetë model! Ju japim pa e tepruar, po flas si burrë, fjalën e nderit”, përfundoi Kryeinspektori Sula.

