Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe Qeverisë serbe që të lirojë “menjëherë dhe pa kushte” tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor.
“Arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”, tha zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller, përmes një deklarate për media.
Serbia ka thënë se tre policët e Kosovës janë arrestuar “thellë brenda territorit” të saj, por Kosova e ka quajtur rrëmbim këtë veprim nga forcat serbe dhe ka thënë se ata ishin në territorin e Kosovës.
Sipas autoriteteve serbe, policët dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.
Ndërkaq, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 16 qershor se mbetet e paqartë se ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës ishin në kohën e arrestimit.
Ky mision tha se ka inspektuar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja dhe ka biseduar me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet në Serbi.
Autoritetet në Kosovë kanë deklaruar më 16 qershor se ndaj tre policëve një gjykatë në Kralevë të Serbisë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, i tha Radios Evropa e Lirë të premten se tre policët “po mbahen në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor”. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga pala serbe, e cila ka akuzuar Prishtinën për keqtrajtimin e serbëve të arrestuar.
Rasti me tre policët e Kosovës po ndodh në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj./REL/