Shqipëria është vlerësuar si një nga vendet që ka përmbushur kërkesat minimale të transparencës fiskale për vitin 2025, sipas Raportit të Transparencës Fiskale të publikuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së.
Ky raport, i mandatuar nga Kongresi amerikan dhe i publikuar më 19 shtator, tregon se nga 140 qeveri dhe entitete të vlerësuara, 71 kanë përmbushur kriteret minimale të transparencës fiskale, ndërsa 69 nuk i kanë arritur ato. Megjithatë, nga grupi i fundit, 26 vende kanë shënuar përparime të rëndësishme drejt përmbushjes së standardeve.
Në vlerësimin e tij, Departamenti i Shtetit thekson se Shqipëria, së bashku me disa vende të tjera, ka siguruar transparencë në dokumentet buxhetore, kontratat dhe licencat publike, duke përmbushur standardet në lidhje me publikimin, përmbajtjen dhe besueshmërinë e tyre.
Ky raport nënvizon se transparenca fiskale është një komponent thelbësor i menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike, pasi rrit besimin e tregjeve dhe forcon llogaridhënien e qeverive ndaj qytetarëve të tyre.