Dalja e lumit Vjosë nga shtrati përmbyt serat në fshatin Kafaraj/ Fermerët: Kemi falimentuar, kërkojmë dëmshpërblim nga shteti

Moti i keq dhe reshjet intensive të shiut kanë sjellë një sërë problemesh dhe dëmesh materiale për fermerët e fshatit Kafaraj, në qarkun e Fieit. Rreth 25 hektarë tokë e kultivuar në serat me luleshtrydhe, është mbuluar nga uji. Sipas fermerëve kjo është një situatë që përsëritet sa herë ka katastrofa natyrore, ndërsa pohojnë nuk nuk dëmshpërblehen për dëmet e shkaktura.

Si pasojë e kësaj situate, ata pohojonë se kanë humbur sasi të konsiderueshme të luleshtrydhes, pasi bima është tashmë në fazën e prodhimit te saj. Gjatë një prononcimi për mediat, një fermer i zonës u shpreh se dëmi është i madh dhe se nuk është marrë asnjë masë. Ai tha se uji ka hyrë tek nënstacioni elektrik dhe tek pompat e ujit të pijshëm pavarësisht.

“Këtu për momentin janë rreth 250-300 dynym luleshtrydhe nën pushtetin e ujit. Dëmi është i madh, rasti është i përsëritur, hera e 5. Asnjë masë nuk është marrë. Na kanë penalizuar me argjinaturën që kanë bërë me justifikimin se do të mbrojnë banesat, por neve na dëmtojnë më shumë. Mbrëmë për herë të parë pas kaq vitesh ka hyrë uji tek nënstacioni elektrik dhe tek pompat e ujit të pijshëm pavarësisht se nuk tregojnë.

Tani kemi prodhimin kryesor të luleshtrydhes. Kemi hedhur lekë, tani ishte koha për t’i marrë dhe u përmbytëm. Sa sera duhet të përmbyten që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme? Shteti tani e ka në dorë, ose na ndihmon ose na le shkretë. Asnjëherë nuk jemi dëmshpërblyer. Na ka ardhur kryeministri na ka thënë një herë më parë se do t’iu dëmshpërblej 100%, ne i thamë duam 50%. Kanë ardhur dhe kanë vlerësuar vetëm 30% të dëmit he nga këto 305 na kanë dhënë 10% të dëmit. Hera e 5 kësaj radhe, nuk ka shkelur këtu këmbë robi. Ne me këtë punë ushqehemi, nuk kemi të ardhura të tjera. Tani vetëm falimentim dhe zhgënjim nga ana e shtetit”, tha njëri prej fermerëve.


Shtuar 9.01.2026 16:46