Dalin shifrat, Bayern “mbulon me ar” Tottenham për Harry Kane, sa do të paguhet lojtari

Sipas mediave britanike dhe gjermane, Bayern Mynihu dhe klubi londinez Tottenhami kanë arritur marrëveshje për shumën e kompensimit për Harry Kane, kështu që sulmuesi anglez do të luajë në Bundesligë duke filluar nga sezoni i ardhshëm, transmeton Anadolu.

Raportet e mediave thonë se Bayerni do t’i paguajë klubit të Premier Ligës angleze 100 milionë euro për 30-vjeçarin Kane, plus 20 milionë të mundshme për vetë sulmuesin. Lojtari i kombëtares angleze do të nënshkruajë kontratë 4-vjeçare me gjigantin gjerman.

Kane pritet të udhëtojë që sot drejt Gjermanisë për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore dhe më pas të nënshkruajë zyrtarisht kontratën me Bayernin.

Kane është një “fëmijë i Tottenhamit” ku ka kaluar të gjithë karrierën e tij, me huazime në Leyton Orient, Millwall, Norwich City dhe Leicester City. Ai luajti 435 ndeshje për Tottenhamin dhe shënoi 280 gola.

Me fanellën e kombëtares së Anglisë ka 84 paraqitje me 58 gola.


Shtuar 11.08.2023 13:40