Dalin dokumentet, ky është tenderi që shkaktoi tërmet me arrestimet te Shëndetësia, detaji që bie në sy

SPAK ka dhënë detaje sot në lidhje me arrestimin në flagrancë të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro për korrupsion.

Asaj iu kapën edhe 350 mijë lekë të reja që do t’i jepeshin sipas SPAK nga Laura Sheto në formë rryshfeti në emër të një operatori ekonomik për të fituar tenderin me objekt “Loti 1:“Supervizim për rikonstruksionin e disa QSH- ve në qarqet Tiranë dhe Durrës”.

AlbEu konsultoi të dhënat e tenderit dhe zbulon së bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-68807-05-09-2023 me vlerë totale 805,872.23 Lekë. Sipas të dhënave, kompania fituese do të mbikëqyrte ecurinë e punimeve gjatë rikonstruksionit të disa Qendrave Shëndetësore në Tiranë dhe Durrës.

Rezulton se MSH ka organizuar disa tenderë të tillë gjatë javëve të fundit. Tenderi në fjalë është hapur më datë 10 maj dhe operatorët kishin mundësi të dorëzonin ofertat deri më datë 22 maj. Duket se veprimi është bërë pas mbylljes së kohës për pranimin e ofertave, gjë e cila korrespondon edhe me momentin e vlerësimit të tyre nga KVO e ministrisë.

Nuk dihet ende se kush është operatori që ka ofruar shumën në fjalë, por duket se bëhet fjalë për një rryshfet sa 5% e vlerës limit të tenderit. Deri më tani nuk ka të dhëna edhe se cilët kanë qenë operatorët e interesuar për këtë tender dhe nëse ka patur apo jo garë aty. /albeu.com


Shtuar 3.06.2023 14:29