Nëse braktis qenin apo macen mund të përfundosh në burg deri në 3 vite. Kjo është një nga risitë në draftin e ri të Kodit Penal, i cili është hedhur për konsultim publik, dhe përfshin një kapitull të posaçëm për mbrojtjen e kafshëve. Disa nene të posaçme trajtojnë dëmtimin, braktisjen dhe moskontrollin e kafshëve, duke përcaktuar masa ndëshkuese që variojnë nga gjoba deri në burgim.
Neni 944 e konsideron braktisjen e një kafshe, nga kushdo që ka përgjegjësi mbi të, si vepër penale, kur akti i braktisjes ndodh në rrethana që rrezikojnë jetën apo shëndetin e saj. Për këtë shkelje, drafti parashikon dënim me gjobë ose deri në 3 vite burg.
Dëmtimi i kafshëve, deri në 3 vite burg për rastet e rënda
Pika 1 e nenit 943 përcakton qartë se “shkaktimi te një kafshe shtëpiake, të zbutur, të stërvitur apo që jeton përkohësisht apo në mënyrë të vazhdueshme nën kontrollin njerëzor, jashtë veprimtarive të rregulluara ligjërisht dhe me çdo mjet ose procedurë, të një dëmtimi të përhershëm ose të përkohshëm, përfshi aktet me natyrë seksuale, për të cilat kërkohet trajtim veterinar për rikthimin e shëndetit të kafshës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”
Nëse nga keqtrajtimi vjen ngordhja e kafshës, dënimi rritet me deri në 50%. Ndërsa nëse kafsha është vertebrore por jo shtëpiake, vepra cilësohet si kundërvajtje penale dhe dënohet më lehtë, gjobë deri në 3 muaj burg dhe dënimi shtohet me 50% në rast se shkaktohet ngordhja e kafshës.
Ndërkaq, edhe keqtrajtimi i rëndë pa dëmtime të dukshme mund të dënohet me gjobë apo një dënim plotësues, që i lihet në dorë gjykatës të përcaktojë sipas rastit.
Neni 943
Dëmtimi i kafshëve shtëpiake
• 1. Shkaktimi te një kafshe shtëpiake, të zbutur, të stërvitur apo që jeton përkohësisht apo në mënyrë të vazhdueshme nën kontrollin njerëzor, jashtë veprimtarive të rregulluara ligjërisht dhe me çdo mjet ose procedurë, të një dëmtimi të përhershëm ose të përkohshëm, përfshi aktet me natyrë seksuale, për të cilat kërkohet trajtim veterinar për rikthimin e shëndetit të kafshës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
• 2. Po kjo vepër, e kryer ndaj një kafshe vertebrore që nuk përfshihet në kategoritë e lartpërmendura, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
• 3. Kur, nga kryerja e veprës së parashikuar në paragrafin e parë shkaktohet ngordhja e një kafshe shtëpiake, të zbutur, të stërvitur ose që jeton përkohësisht ose përgjithmonë nën kontrollin e njeriut, dënimi shtohet deri në një të dytën e tij.
• 4. Kur, nga kryerja e veprës së parashikuar në paragrafin e parë shkaktohet ngordhja e një kafshe vertebrore të ndryshme nga ato të përmendura në paragrafin e tretë të këtij neni, dënimi shtohet deri në një të dytën e tij.
• 5. Kur për dëmtimet e shkaktuara nga kryerja e kësaj vepre nuk kërkohet trajtim veterinar ose kafsha është keqtrajtuar rëndë pa i shkaktuar dëmtime, dënohet me gjobë ose me një dënim plotësues të përshtatshëm për natyrën e veprës penale të kryer.
Dënim për ata që nuk kontrollojnë kafshët në publik
Neni 945 vendos përgjegjësi penale për ata që nuk kontrollojnë kafshët në hapësira publike, si dhe për ata që nuk u vendosin atyre maskat mbrojtëse. Nëse qeni shkakton dëmtim të lehtë ndaj një personi për shkak të mungesës së kontrollit apo mungesës së maskës mbrojtëse, pronari mund të dënohet me gjobë ose deri në 6 muaj burg. Por, në rastet më të rënda, kur nga mungesa e kontrollit vjen një dëmtim i rëndë apo humbja e jetës së një personi, dënimi ashpërsohet.
Ndeshjet ndërmjet kafshëve
Neni 946 dënon me gjobë ose burgim deri në tre muaj çdokënd që promovon, organizon apo drejton ndeshje ndërmjet kafshëve që u shkaktojnë atyre vuajtje apo torturë. Po kështu, dhënia e kafshëve për qëllime ndeshjeje, rritja ose trajnimi i tyre për të luftuar ndëshkohen me deri në gjashtë muaj burg, ndërsa vendosja e basteve në këto ndeshje parashikon dënim deri në dy muaj burg. Në këtë nen parashikohen të njëjtat dënime, sipas Kodit aktual.
Dënimi shtohet me 50% kur veprat kryhen me mizori
Neni 947 përcakton se kur veprat ndaj kafshëve kryhen me egërsi, mizori apo për qëllime fitimi, dënimi shtohet deri në një të dytën. Po ashtu, ndëshkimi rëndohet po me 50% kur përdoren arma, instrumente apo mjete të rrezikshme për jetën e kafshës, kur veprat kryhen në prani të fëmijëve apo personave vulnerabël, apo kur autori është vetë pronari i kafshës që abuzon me të. Dënimi shtohet me 50% edhe kur vepra kryhet gjatë një ngjarjeje publike ose shpërndarja e pamjeve të saj nëpërmjet teknologjive të informacionit ose komunikimit.