Njerëz që punojnë jashtë vendit kanë zbuluar se “punokan” edhe në Shqipëri: Madje njëri prej tyre shofer në një kompani private në Tiranë. A.M., 24 vjeç, nga periferia e Durrësit, bëri të ditur shqetësimin e tij. Ai ndodhet në Itali prej korrikut ndërkohë që më parë punonte mekanik ku t’i dilte punë. Pas publikimit të listës së pagave disa ditë më parë, A.M. ishte telefonuar nga i vëllai i tij, i cili i kishte treguar se deri në prill të këtij viti rezultonte se punonte si shofer në një kompani private me rrogën minimale prej 30 mijë lekësh.
Çudirat pas publikimit të listës së pagave të 360 mijë shqiptarëve duket se nuk do të sosen edhe për ca kohë. Njerëz që punojnë jashtë vendit kanë zbuluar se “punokan” edhe në Shqipëri, madje njëri prej tyre shofer në një kompani private në Tiranë. A.M., 24 vjeç, nga periferia e Durrësit, bëri të ditur shqetësimin e tij.
Ai ndodhet në Itali prej korrikut ndërkohë që më parë punonte mekanik ku t’i dilte punë. Pas publikimit të listës së pagave disa ditë më parë, A.M. ishte telefonuar nga i vëllai i tij, i cili i kishte treguar se deri në prill të këtij viti rezultonte se punonte si shofer në një kompani private me rrogën minimale prej 30 mijë lekësh.
“E dija që ka një dokument që tregon të gjitha të dhënat, përfshi edhe pagën por nuk isha bërë kurioz duke qenë se e dija se emri im nuk do të ishte aty; familjarëve ua dija rrogën, kështu që nuk më interesonte. Por vëllai më dërgoi një video ku dilte emri im dhe puna që unë (nuk) bëja”, tregon A.M.
Vëllai i A.M. kishte kërkuar emrat e gjithë pjesës tjetër të familjes dhe A.M kishte “rezultuar” punëtor në një kompani private, të cilën e kishte në pronësi një kushëriri i tyre, me të cilin kanë marrëdhënie të mira. Bashkë me emrin e A.M. ishin dhe emrat e 4 fëmijëve të kushëririt pronar, edhe i madhi që ndodhet jashtë vendit për studime.
“Ky kushëriri më ka marrë një CV para një viti me idenë se do të shohë për një punë për mua. Kartën e identitetit mund ta ketë marrë në çdo moment sepse rrija shpesh me të”, tregon A.M., i cili shpreh habinë se si ai mund të jetë regjistruar si punonjës në një kompani, ku i paguhen siguracione dhe se si tërhiqen paratë e “tij” në bankë…
Ndërkaq, të rinj të tjerë, të cilët nuk janë prekur direkt nga skandali i publikimit të rrogave, duket se janë indiferentë.
“Jam në rregull për aq kohë sa çdo pjesëtar i familjes time nuk preket. Më vjen mirë që dolën rrogat ‘skandal’ që të gjithë të kuptojmë dhe një herë se si funksionon në vendin tonë”, thotë një i ri në gjimnazin “Qemal Stafa”.
Arditi, një tjetër i ri po në këtë shkollë, thotë se kjo ishte për të një mënyrë për të hapur sytë të gjithë, gjithashtu dhe për të kuptuar se si funksionon pjesa e rrogës bashkë me gjithë “kleçkat” e saj.
“Nuk më intereson në fakt pasi unë nuk punoj por gjithsesi e kam hapur për të parë rrogat e personave që njoh dhe sidomos të atyre që ‘ankohen’ për paratë”, tregon një tjetër gjimnaziste në rrugën e Durrësit.
Disa të rinj të tjerë të moshës 20-23 vjeçare thanë se publikimi i pagave ishte një mënyrë për të shuar kuriozitetin “alla shqiptar”, asgjë më shumë.
“Pagat e askujt nuk më bëjnë përshtypje sepse e di se çfarë nuk mund të presësh, por gjithsesi kam kaluar disa orë të mira duke parë pagat e të afërmve, thjesht për kuriozitet”, tregon Anisa, 22-vjeç. (Gazeta Si)