Policia ka vënë në pranga Jani Tafani, 52 vjeç, Dritan Begolli, 42 vjeç dhe Olsi Ebeja, 39 vjeç,
Arrestimi i tyre u bë pasi nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan në vijim të kontrolleve të ushtruara në zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, kanë konstatuar se në lagjen “Luigj Gurakuqi”, Elbasan, lokali në pronësi të shtetasit R.T., vijonte të ishte i hapur dhe gjeneronte muzikë.
Në momentin që ka shkuar Patrulla e Përgjithshme për të mbyllur lokalin dhe ndëshkuar me masë administrative pronarin e lokalit, shtetasit e lartpërmendur, që ishin klientë në këtë lokal kanë tentuar për penguar me forcë punonjësit e policisë për të vendosur masën administrative pronarit të lokalit.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi në flagrancë i tyre, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Gjithashtu nga shërbimet e Policisë, në bazë të Aktit Normativ, pronari i lokalit shtetasi R.T., është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, për shkelje të orarit të përcaktuar në Aktin Normativ.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë pronarët dhe administratorët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit./albeu.com