Koronavirusi i zgjatur është kthyer tashmë në fokusin e studiuesve të cilët po analizojnë të dhënat që po arrijnë nga pacientët e shtruar në spitale.
Sipas një studimi britanik rezulto se vetëm një në katër pacientë me Covid-19 u shërua plotësisht brenda një viti nga shtrimi në spital, ku ndër të tjera paralajmërohet se Covid-i afatgjatë mund të bëhet një gjendje e zakonshme.
Studimi, i paraqitur në Konferencën Evropiane për Mikrobiologjinë Klinike dhe Sëmundjet Infektive (EÇMID) dhe i publikuar në The Lancet Respiratory Medicine, përdori të dhëna nga pacientë të rritur të shtruar në 39 spitale në Mbretërinë e Bashkuar nga 7 mars 2020 deri më 18 prill 2021.
Studimi përfshiu rreth 2300 pacientë dhe ekzaminoi rikuperimin e 807 prej tyre pesë dhe 12 muaj pasi u liruan nga spitali.
Vetëm 26% e tyre raportuan se ishin shëruar plotësisht pesë muaj pas shtrimit në spital, me një rritje të lehtë në 28.9% 12 muaj pas shtrimit në spital.
Sipas rezultateve të hulumtimit, gratë kanë 33% më pak gjasa të shërohen plotësisht sesa burrat, ndërsa njerëzit me mbipeshë kanë gjysmë më shumë gjasa të shërohen plotësisht sesa pacientët me peshë normale. Në të njëjtën kohë, ata që kishin nevojë për një ventilator gjatë trajtimit të tyre kanë 58% më pak gjasa të jenë shëruar plotësisht.
Ndër simptomat më të zakonshme të Covid-it afatgjatë të raportuara nga pacientët ishin lodhja, dhimbjet e muskujve, shqetësimet e gjumit, shqetësimi i frymëmarrjes dhe ulja e aktivitetit fizik.