Kryetari i Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ, Rustem Preçi është ndarë nga jeta si pasojë e infektimit me koronavirus. Lajmi i hidhur është bërë me dije nga Kryesia e Komitetit Kombëtar dhe familjarët.
Mësohet se homazhet e nderimit për përcjelljen e tij do të bëhen sot, datë 06.04.21 nga ora 14-15 tek Muzeu Historik Kombëtar.Në lidhje me këtë humbje, ka reaguar edhe deputeti socialist Taulant Balla, i cili përmes një statusi në “Facebook”, vlerëson të gjitha kontributet që i ndjeri ka dhënë ndër vite.
Postimi i plotë
“U prehsh në paqe miku ynë i vyer Rustem Peçi, Kryetar i Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ!
Organizata Kombëtare e Veteranëve të LANÇ ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë një kontribut të pazëvendësueshëm e të përhershëm në mbrojtje të idealit të luftës për liri dhe dinjitet kombëtar.
Edukimi i gjeneratave të reja me ndjenjat e atdhedashurisë dhe patriotizmit është sfidë e rëndësishme për të ardhmen.
Partia Socialiste e Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Peçi dhe gjithë anëtarëve të Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ.”
Ndërkohë edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të veteranit Rustem Peçi.
“Me trishtim të thellë mora vesh lajmin e ndarjes nga jeta të veteranit e patriotit Rustem Peçi, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Popullit Shqiptar.
Rustem Peçi ishte një veteran, antifashist dhe patriot, i cili që në moshë mjaft të re u aktivizua në Luftën Çlirimtare si pjesëtar i rinisë antifashiste. Si ushtarak, Rustem Peçi i shërbeu me përkushtim atdheut në të gjitha detyrat e larta me të cilat është ngarkuar.
Si drejtues për një kohë të gjatë i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-Nderi i Kombit, kësaj organizate të nderuar 64-vjeçare, Rustem Peçi ka kontribuar për mbajtjen gjallë të vlerave antifashiste dhe edukimin e vajzave e djemve të Shqipërisë me respektin e nderimin për historinë, Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, lirinë dhe atdheun.
Rustem Peçi ishte dhe do të kujtohet përgjithmonë si mishërimi i vlerave më të larta të ushtarakut, patriotit, veteranit dhe edukatorit antifashist”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.