Çmimet po ulen më pak se në Europë; Në qershor ishin më të larta se matjet kombëtare

Një metodë e Eurostat që po përdoret për matjen e inflacionit në vendin tonë tregoi se çmimet po rriten me ritme shumë më të larta në qershor, se sa matjet e brendshme nga INSTAT.

Sipas treguesit nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (Eurostat), në muajin qershor, inflacioni u rrit me 5.8%, por matjet e INSTAT referuan në të njëjtin muaj rritje me 4,5%.

Vitin e kaluar, Shqipëria kishte rritjen më të ulët të inflacionit në krahasim me mesataren e BE-së, por kjo diferencë po shuhet këtë vit.

Vjet në tetor, inflacioni mesatar në BE-së ishte 11.5%, ndërsa në Shqipëri 8% ose 3.5 pikë përqindje më i ulët, ndërsa në qershor 2023, diferenca është vetëm 0.6%.

Ky ngushtim i diferencës vjen për arsye se vitin e kaluar, rritja e çmimeve në BE u ndikua nga grupi i energjisë, ndërsa në Shqipëri, inflacioni është ndikuar nga grupi i ushqimeve, të cilat po qëndrojnë përgjithësisht të larta edhe nga mungesa e prodhimit vendas sidomos në prodhimet blegtorale.

Sipas metodës së Eurostat, rritja më e madhe e çmimeve prej 12,1% vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 10,8%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 5,9%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,4%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4,3% secili, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,0%, “Shërbimi arsimor” me 2,5%, “Shëndeti” me 2,2%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,5% dhe “Komunikimi” me 1,2%.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 7,0%. Në muajin qershor 2023, ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,2%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,5%, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3%.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 2,8%, pasuar nga grupet “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,3%, “Veshje dhe këpucë”, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2% secili dhe “Shëndeti” me 0,1%.

Në qershor 2023, çmimet u rriten me ritme me te larta në Hungari me 20% dhe në Sllovaki dhe Poloni me rreth 11%. Nga ana tjetër ritmet më të ulëta të çmimeve ishin ne Luksemburg, Spanjë dhe Belgjike.

Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së.

Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).

Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.

Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).

Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).

IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë./monitor

Në Tetor diferenca mes inflacionit mesatar në BE dhe atij në Shqipëri sipas indeksit të harmonizuar ishte 3.5 pikë përqindje

Në Qershor diferenca mes inflacionit mesatar në BE dhe atij në Shqipëri sipas indeksit të harmonizuar ishte 3.5 pikë përqindje 0.6 pikë përqindje


Shtuar 21.07.2023 20:06