Çmimet e larta të energjisë, naftës dhe hekurit krijuan 111 mln të ardhura buxhetore shtesë në 9- mujor

Shtrenjtimi i çmimeve e ka ndihmuar në mënyrë të konsiderueshme qeverinë të rrisë të ardhurat buxhetore përgjatë këtij viti. Më pozitivisht janë ndikuar të ardhurat nga TVSH-ja, të cilat grumbullohen në përqindje të çmimeve.

Vetëm nga importi i tre produkteve (energji, karburante dhe metale), shihet se qeveria ka arkëtuar 13 miliardë lekë TVSH më tepër në dogana gjatë 9 mujorit 2022, sipas një analizë të Ministrisë së Financave për këtë qëllim. Kjo shumë është sa 22 për qind të ardhurave shtesë (54 miliardë) që u arkëtuan gjatë 9 mujorit 2022.

Teksa çmimet janë rritur për të gjitha artikujt e importit, të ardhurat nga ky faktor janë shumë më të larta, duke pasur parasysh edhe efektin shtesë të çmimeve tek rishitjet në tregun e brendshëm.

Ministria e Financave analizoi se importet e energjisë elektrike gjatë 9-mujorit ishin 4 për qind më të ulta se një vit më parë, por për shkak të çmimit të lartë ato sollën 5 miliardë lekë më shumë të ardhura në dogana në arkëtimet e TVSH-së.

Importet e karburanteve shënuan ulje me rreth 9 për qind gjatë 9-mujorit, por të ardhura shtesë në arkën e shtetit nga ky produktit ishin  +4,5 miliardë lekë, si rrjedhojë e çmimeve më të larta.

Një shumë prej +3,6 miliardë lekësh erdhi si rrjedhojë e arkëtimeve më të larta nga rritja e çmimeve të metaleve, kryesisht hekurit.

Po Ministria e Financave vë në dukje se një nga faktorët kryesorë që kanë ndikuar në performancën e 9 mujorit kundrejt planit është miradministrimi, lufta ndaj informalitetit dhe kontrolli i zinxhirit të transaksioneve ndërmjet operatorëve.

Një pjesë e rritjes së të ardhurave i dedikohet gjithashtu zgjerimit të aktivitetit ekonomik dhe performanca e mirë e sektorit të ndërtimit. Ministria e Financave shpjegoi se ne vijim të masave të suksesshme të qeverisë në lidhje me investimet në kuadër të rindërtimit pas tërmetit, si dhe investimeve në infrastrukture,  të cilat kanë ndikuar në rritjen e qarkullimit, të importeve, prodhimit të brendshëm si dhe të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Vitin që vjen të ardhurat buxhetore pritet të arrijnë një nivel prej 635 miliardë lekësh, me një rritje rreth 7.7 për qind nga fakti i pritshëm i këtij viti./Monitor

Burimi: Ministria e Financave