Çmimet e larta dhe inflacioni, Rama nga Shkupi: Koha t’i kërkojmë ndihmë BE-së

Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij në takimin ndërqeveritar në Shkup me situatën në të cilën ndodhet bota pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Gjatë fjalës së tij në prani të homologut maqedonas Dimitar Kovačevski, Rama u shpreh se pas takimit në Strugë, dy qeveritë takohen në një kontekst tjetër tashmë, së pari për shkak të luftës dhe së dyti për shkak të marrjes së dritës jeshile nga Unioni për nisjen e negociatave.

“Sot rikthehemi këtu për një takim tjetër të rëndësishëm, të një mbledhje të dy qeverive por në një kontekst tërësisht tjetër sa i takon situatës, në Europë, në rajon, në vendet tona. Lufta e Putin në Ukrainë, godet, shkatërron, hap plagë e dëbon njerëz nga vendi i tyre. Por nga ana tjetër, është e provokuar pikërisht për të gjunjëzuar Perëndimin, bashkësinë euroatlantike, për të gjunjëzuar të gjitha vendet në perëndim të Rusisë, pjesë e të cilit jemi edhe ne…”

Ndërsa kujtoi se dy vendet kanë hedhur hapa të rëndësishëm drejt rrugës së integrimit në BE, kreu i qeverisë theksoi se tashmë është koha që të kërkohet nga Unioni që t’i përfshijë dy vendet në përpjekjet për t’i bërë ballë çmimeve të rritura dhe inflacionit.

“Në takohemi edhe në një kontekst tjetër në aspektin e përpjekjeve tona të përbashkëta për t’u bërë pjesë e BE. Më në fund e kemi kapërcyer hendekun mes të qenurit gati për t’i hapur negociatat dhe refuzimit të vazhdueshëm nga BE. Sot të dyja vendet tona kanë hedhur në hap shumë të madh përpara.

Më 6 dhjetor do të mbahet në Tiranë samiti i BE, me Ballkanin Perëndimor dhe ne do të jemi aty së bashku me sfidat tona që janë gjithnjë e më të njëjta me ato të vendeve të tjera.

Është koha për të projektuar të ardhmen përtej luftës…Duke kërkuar nga BE që të na përfshijë gjithnjë e më shumë në përpjekjen e organizuar për t’ë përballur goditjen e madhe të rritjes së çmimeve por edhe inflacionit. Por edhe për të ndërtuar një plan të përbashkët që të na japë mundësi të shohim përtej kësaj faze, të vështirë të zymtë, por jo të pambarimtë. Skemi nevojë të presim fundin e luftës për të projektuar.”