Në shtator, indeksi i çmimeve të konsumit në grupin “Bukë dhe Drithëra” u rrit me 4.3% në raport me shtatorin 2020.
Këto ishin ritmet më të larta të rritjes që nga janari 2012, raportoi INSTAT. Pas një qetësie gati 10-vjeçare, çmimet e drithërave nisën rritjen e dukshme gjatë vitit 2020, të nxitura nga një kërkesë jo e zakontë në të gjithë botën nga frika e bllokimeve në lëvizje. Me heqjen e kufizimeve, çmimet patën një periudhë stabël gjatë verës 2021, por nisën rritjen e shpejtë për shkak se korrjet nuk ishin të mbara prej efekteve të ndryshimeve klimatike.
Një ton grurë në tregjet ndërkombëtare kushtoi në fundjavë 740 dollarë, me një rritje vjetore 26%. Industrialistët e miellit në vend pohuan se rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare po reflektohet në mënyrë graduale.
Që nga fillimi i vitit disa furra në vend kanë rritur çmimin e bukës me 10 lekë, duke e çuar në 80 lekë në disa raste buka që shitej 80 lekë tani shitet 90 lekë dhe ajo shitej 90 lekë shitet me 100 lekë, me një shtrenjtim rreth 15%.
Gjatë gushtit, çmimi i miellit u rrit 5 lekë për kilogram. Operatorët paralajmërojnë se rritja e miellit do të shkojë deri 20%, për shkak të krizës të prodhimit të grurit në botë. Rritje të lartë këtë vit parashikohet të ketë edhe për çmimin e makaronave si ato të importit dhe të prodhuar në vend, për shkak të shtrenjtimit të fortë të miellit të grurit për prodhimin e tyre.
Adi Haxhiymeri, nga Shoqata e Industrialistëve të miellit, thotë se rritja e çmimit të grurit do të jetë e përkohshme dhe çmimi do të varet nga prodhimi i vitit që vjen. Kur çmimi i grurit rritet fermerët priret të prodhojnë më shumë grurë. Kjo sjellje reflektohet kudo në botë. Rritja e prodhimit sjell edhe rënien e çmimeve.
Mirëpo tregu i bukës në Shqipëri nuk ka treguar elasticitet ndaj periudhave kur ulet çmimi në tregjet ndërkombëtare. Ulja reflektohet tek mielli, por jo të nënproduktet e tij sidomos buka. Çmimi i artikullit më të konsumuar në vend nuk ulet në rastet kur çmimi pëson rënie.
Nisur nga çmimet e larta, fermerët në zonat më prodhuese të vendit, Lushnjë dhe Fier, kanë nisur të mbjellin grurë. Nga korrjet e këtij viti ata fituan më shumë se me perimet, të cilat i kanë në bazë të kultivimit.
Shumë fermerë që disponojnë mjete që punojnë tokën të tilla si traktorë po marrin edhe toka me qira për t’i mbjellë me grurë, por më shumë gjasë, nëse prodhimi global rritet vitin që vjen ato nuk do të marrin fitimet e parashikuara këtë vit./B.Hoxha-Monitor