Ditën e djeshme, një ngjarje jo etike dhe aspak profesionale, ka ndodhur në qytetin e Beratit, ku si pasojë e një debate të fortë mes dy agjentëve të Operacionales, njëri prej tyre mësohet të ketë nxjerë armën dhe ka kanosur kolegun.
“…Të mbush barkun me plumba…”, – Këto kanë qenë fjalët që Muhamet Lana, i është drejtuar kolegut të tij polic, Partizan Lumi, i cili më parë ka shërbyer si agjent operacional pranë Drejtorisë së Qarkut Berat, por së fundi është transferuar polic Rendi në Komisariatin e Poliçanit.
Mësohet se shkak i konfliktit është bërë transferimi i agjentit Partizan Lumi nga Operacionalja e Drejtorisë së Beratit drejt komisariatit të Policisë Poliçan.
Ky largim i Lumit, ka afruar Muhamet Lanën në operacionalen e Beratit, i cili mësohet të jetë mik i ngushtë i zv/drejtorit të hetimit të krimeve në Drejtorinë e Beratit, Shkëlqim Xhezairaj.
Konflikti mes dy policëve të mësipërm, ka ndodhur përballë Drejtorisë së Policisë Berat, duke bërë që situata konfliktuale të përfundojë në dyert e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, pasi Partizan Lumi, ka paraqitur një kallëzim penal dhe rasti tashmë është në verifikim e sipër.
Për këtë situatë është njoftuar dhe prokurori i gatshëm i Beratit, i cili pritet që në ditët në vijim të njihet me materialin referues që do përcjellin oficerët e AMP-së në prokurori.