E ftuar në emisionin “Ndryshe”, artistja Çiljeta Xhilaga ka rrëfyer për karrierën e saj, përjetimet pas skenës dhe mundësinë e një rikthimi në muzikë. Edhe pse vitet e fundit është distancuar nga jeta artistike, Çiljeta mbetet një nga figurat më të dashura e më karizmatike të showbiz-it shqiptar. Me një karrierë që nisi herët dhe me hite që u kthyen në himne të një brezi të tërë, ajo ka arritur të ruajë lidhjen e saj me publikun përmes natyrshmërisë, humorit dhe energjisë pozitive që e karakterizon.
E pyetur nëse planifikon të rikthehet me një këngë të re, Çiljeta u shpreh me sinqeritetin që e dallon:
“Jam karikuar të bëj një këngë të re, por do ta bëj vetëm nëse Flori Mumajesi rikthehet.”
Me plot humor, ajo shtoi se vetëm Flori di t’i sjellë në jetë këngët që përfaqësojnë frymën e brezit të saj:
“Vetëm Flori mund t’i bëjë këngët e kohës sime, ose do iki tek ai që më ka nxjerrë për herë të parë si këngëtare, që e falënderoj pafund Andi Lila.”
Këngëtarja tregoi se ka tentuar të komunikojë me producentin e njohur për një rikthim të mundshëm:
“I kam shkruar para dy muajsh: ‘Do kthehesh, se na ke lënë pa këngë’. Por nuk më ka kthyer përgjigje. Unë mendoj se do vijë një kohë që i gjithë brezi ynë do të rikthehet. Nuk e di, por kështu e ndjej.”
Duke folur për ndryshimet në tregun muzikor, Çiljeta nuk kurseu kritikat për muzikën moderne, duke e krahasuar me periudhën e saj:
“Brezi i ri është rritur me muzikën tonë, jo me këtë që bëhet sot. Kjo muzikë s’ka as melodi, as edukatë për fëmijët tanë. Do thuash ti ‘edhe ti i ke kënduar mollaqeve’, por unë nuk i këndova atyre të miave i kam kënduar atyre që i kishim të mëdhaja!”
