Produktet e bulmetit janë një pjesë e rëndësishme e çdo regjimi të shëndetshëm ushqimor. Megjithatë, në disa aspekte, përzgjedhja e llojit të duhur të produkteve të bulmetit bën një ndryshim të ndjeshëm. Në këtë artikull do të mësoni se si të bëni përzgjedhjen e duhur mes qumështit dhe kosit për shëndetin e organizmit.
Pasuria e ushqyesve tek kosi dhe qumështi
Si qumështi ashtu edhe kosi janë të shkëlqyer sa i përket pasurisë së kalçiumit, kaliumit dhe vitaminës D.
Qumështi
Qumështi përmban edhe tryptophan, vitaminat B2, B12, K dhe A. Ai është gjithashtu i pasur me proteinë por edhe fosfor. Shumica e këtyre ushqyesve gjenden më shumë tek qumështi i lopës. Qumështi në përgjithësi ndihmon në uljen e tensionit të gjakut por ai rekomandohet edhe në uljen e rrezikut të sëmundjeve kancerogjene, mbipeshës, diabetit dhe sëmundjeve të zemrës.
Kosi
Kosi i përmban me bujari të gjithë ushqyesit e lartpërmendur por edhe proteinë, zink, vitaminë B5 dhe probiotikë. Këta të fundit janë një prej ndryshimeve më madhore mes qumështit dhe kosit Probiotikët janë të domosdoshëm për shëndetin e stomakut dhe tretjen. Kosi i shtëpisë i fermentuar me farë natyrale është i pasur me probiotikë por përmban edhe sasi më të larta të kalçiumit dhe kaliumit. Probiotikët në fjalë kurojnë problemet me aciditetin në stomak, ulçerën dhe zorrët.
Nga ana tjetër, kalçiumi tek kosi përthithet më mirë nga organizmi në krahasim me kalçiumin që gjendet tek qumështi. Kjo ndodh falë prezencës së acidit laktik që shërben si ndërmjetës për përthithjen e kalçiumit. Një ndryshim tjetër mes qumështit dhe kosit është se ky i fundit tretet dhe pranohet më lehtë nga organizmi. Ka shumë njerëz në botë që kanë intolerancë ndaj laktozës, ndaj kosi është më i përshtatshëm për ta. Për më tepër, kosi është më i butë për organizmin e njerëzve që vuajnë nga fryrjet, aciditeti e të tjerë.
Cili rekomandohet për mëngjes
Për shkak se tretet më lehtë dhe ka më shumë probiotikë, kosi është më i rekomandueshëm për mëngjes. Mund ta kombinoni me fara të ndryshme apo drithëra për më shumë energji gjatë ditës.. Edhe qumështi mund të konsumohet pa problem, por duhet të keni parasysh se stomaku do më shumë kohë për ta asimiluar.