Cilat janë kushtet e Erdogan për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO?

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po përpiqet të përfitojë nga rëndësia strategjike e Turqisë për Perëndimin pas pushtimit rus të Ukrainës. Ai po përpiqet të detyrojë Finlandën dhe veçanërisht Suedinë që të përmbushë kërkesat e tij, sipas BBC.

Së pari, ai dëshiron që Suedia dhe Finlanda të denoncojnë publikisht jo vetëm Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), por edhe anëtarët e saj përpara se të bashkohen me NATO-n.

PKK është cilësuar si organizatë terroriste nga Britania e Madhe, SHBA dhe Bashkimi Europian. Megjithatë, shumica e anëtarëve të NATO-s kanë mbështetur dhe madje kanë armatosur degën e saj siriane, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit, YPG, në luftën kundër Shtetit Islamik.

Qeveria turke këmbëngul se Suedia dhe Finlanda duhet gjithashtu të bëjnë më shumë për të shtypur simpatizantët e PKK-së që ajo thotë se janë aktivë në vendet e tyre.

Turqia gjithashtu dëshiron që Suedia dhe Finlanda t’i japin fund kufizimeve të eksportit të armëve që i vendosën Ankarasë, së bashku me disa anëtarë të tjerë të NATO-s, pas inkursionit të saj në Siri në vitin 2019 për të larguar YPG-në nga kufiri.

Përveç këtyre kushteve, Turqia dëshiron të përfshihet edhe në programin e avionëve të avancuar F-35, nga i cili u ndalua pasi bleu sistemet e mbrojtjes raketore S-400 nga Rusia.

Ajo gjithashtu ka një kërkesë për SHBA-në për të blerë avionë luftarakë F-16 dhe pajisje për përmirësimin e flotës së saj ekzistuese.

Duhet të kemi parasysh gjithashtu se zgjedhjet presidenciale dhe të përgjithshme do të mbahen në Turqi pas pak më shumë se një viti dhe Erdogan mund ta përdorë këtë krizë për të fituar votën e nacionalistëve.


Shtuar 25.05.2022 13:41