Cila është e vërteta për sulmin me dron ndaj Kremlinit?

Nga Mark Galeotti “The Spectator

Përktheu: Alket Goce – AlbEu

Qeveria ruse ka pohuar se “dy mjete ajrore pa pilot ishin drejtuar për në Kremlin”. “Si rezultat i veprimeve të ndërmarra në kohë nga ushtria dhe shërbimet speciale dhe me përdorimin e sistemeve të luftës me radar, mjetet u nxorën jashtë funksionit”- theksohet
më tej në deklaratën zyrtare.

Moska nënvizon se nuk ka pasur “asnjë viktimë dhe dëme materiale”, edhe pse ajo po e konsideron si një përpjekje “terroriste” për të vrarë presidentin rus Vladimir Putins. Thënë këtë, videot e paverifikuara që po qarkullojnë gjithandej në mediat sociale (gjë që në epokën e falsifikimeve shumë të rafinuara, nuk është domosdoshmërisht një provë), tregojnë një dron që gati godet ndërtesën e Senatit, një nga strukturat më të mëdha brenda kompleksit të Kremlinit, duke shkaktuar një shpërthim të vogël gjatë neutralizimit nga sistemet anti-ajrore ruse.

Ukraina ka zhvilluar dronë me rreze më të gjatë dhe po i afrohet Moskës. Në shkurt, një prej tyre u gjet pranë qytetit Kolomna, gati 100 km në juglindje të kryeqytetit rus. Ndërkohë muajin e kaluar një tjetër dron u rrëzua rreth 30 km në lindje të Moskës.

Megjithatë, të arrish të depërtosh në atë që mendohet të jetë një nga qytetet më të mbrojtura në botë dhe të godasësh zemrën e qeverisë kërkon guxim, fat dhe aftësi. Tek e fundit, dronët janë përgjithësisht armë të ngadalta dhe të cënueshme.

Dhe Moska është e rrethuar nga sistemet e radarëve dhe raketat e mbrojtjes ajrore. Për më tepër, Kremlini është jashtëzakonisht i mbrojtur nga një sistem mashtrimi GPS, që është edhe fatkeqësia e shoferëve që kalojnë në qendër të qytetit, dhe që tenton t’u tregojë atyre se në fakt janë në aeroportin Vnukovo, rreth 25 km më në jug-perëndim.

Si një mbrojtje e fundit, Garda e Shërbimit Federal të Mbrojtjes në Kremlin ka në dispozicion pushkë anti-dronë të cilat duhet të ndërhyjnë në sinjalet e tyre komanduese. Kjo duhet të përjashtojë çdo sulm të pavarur nga amatorë të pakënaqur brenda Rusisë.

Nëse ky do të ishte një sulm ukrainas, i cili ndoshta do të ishte organizuar nga inteligjenca ushtarake, atëherë ai ishte kryesisht simbolik dhe politik. Vështirë se ukrainasit do të kenë pritur të vrisnin Putinin, duke pasur parasysh ngarkesën relativisht të vogël me eksploziv
në dron.

Aq më tepër që Putin këto kohë shkon gjithnjë e më rrallë dhe plot ngurrim në Kremlin. Në fakt, ai gjendej në rezidencën e tij jashtë qytetit në Novo-Ogoryovo. Gjithsesi, ajo që do të donin të tregonin ukrainasit, është se Moska nuk është e sigurt, duke e bërë këtë pak para 9 majit: Dita e Fitores, festa më e madhe e Rusisë.

Tashmë shumë ngjarje të Ditës së Fitores janë anuluar ose reduktuar në madhësi për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Sigurisht, një sulm i tillë bart rreziqe serioze. Kremlini ka thënë se “rezervon të drejtën për të marrë masa hakmarrëse ku dhe kur e sheh të arsyeshme”.

Dhe ndërsa dikush mund të mendojë se meqë rusët po bëjnë tashmë më të keqen e tyre në Ukrainë, ky mund të jetë një justifikim për përshkallëzim të mëtejshëm. Madje një lëvizje e tillë mund ta zemërojë edhe Uashingtonin, që prej muajsh është përpjekur të paralajmërojë Kievin kundër çdo lloj sulmi të tillë.

Për këtë arsye, disa analistë dhe ekspertë po sugjerojnë se ky ishte një “sulm i inskenuar” dhe i organizuar nga vetë Putin për të zemëruar popullin rus dhe për të ofruar një justifikim për akte barbare të mëtejshme në Ukrainë.

Mykhaylo Podolyak, një nga këshilltarët e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, pretendoi se Kievi nuk kishte asnjë lidhje me këtë ngjarje. Ai theksoi se ajo sinjalizonte një mizori të afërt të ushtrisë ruse. Megjithatë, shpjegimi i Kievit nuk është dhe aq i besueshëm. Nëse kanë gisht ukrainasit, atëherë Rusia do të pranonte një shkelje tronditëse të sigurisë. Ajo do të ishte në të njëjtin nivel me rastin famëkeq në vitin 1987, kur një i ri gjerman i quajtur Mathias Rust uli avionin e tij të vogël në urën Bolshoi Moskvoretsky, pikërisht pranë Kremlinit.

Rust ishte në një mision donkishotesk për paqe. Por aventura e tij shkaktoi një spastrim të komandës së lartë, duke përfshirë Ministrin e Mbrojtjes dhe komandantin e forcave të mbrojtjes ajrore. Ndaj ka të ngjarë që edhe kjo ngjarje të çojë në shkarkimin e Ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu (i cili mund të marrë frymë i lehtësuar).

Është e vështirë të besohet që Putin të jetë aq i dëshpëruar për kapital politik, saqë të jetë i gatshëm të pretendojë se forcat e tij të mbrojtjes ajrore nuk mund t’i ndalojnë dot dronët të udhëtojnë mbi 450 km nga kufiri ukrainas dhe të godasin zemrën simbolike të shtetit rus.

Me shumë mundësi, kjo është pikërisht ajo që duket: duke qenë dëshmitar i sulmeve të vazhdueshme ndaj infrastrukturës, shtëpive dhe spitalet e tij, Kievi mendon se nuk ka asnjë arsye që të rrijë duarkryq.

Deri më tani, e gjithë kjo analizë është spekulative, por gjasat janë që kjo ngjarje vetëm sa do të zemërojë edhe atë shumicë të rusëve që nuk ishin të entuziazmuar për luftën. Dhe siç tha një analist, kjo mund të jetë “dhurata e Zelensky për Putinin”./albeu.com

Shënim: Mark Galeotti, politolog dhe historian i njohur britanik. Libri i tij i fundit “Luftërat e Putinit:Nga Çeçenia në Ukrainë” ka dalë tani në treg.


Shtuar 4.05.2023 16:12