Një sherr i dhunshëm është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Sarandë, ku pre e dhunës kanë mbetur një çift bashkëshortësh. Ngjara ndodhi në lagjen nr.1 në qytetin bregdetar. Ndërkohë që po mbrëmë, Policia ka goditur një tjetër rast të tentativës për kultivim të lëndëve narkotike, duke prangosur Xhuljano Palin. Ndërsa në Selenicë, Golik Ademaj u prangos pasi akuzohet se përndiqte në grua.
NJOFTIMI I PLOTË:
DVP Vlorë
Vijojnë kontrollet e pandërprera për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga një shtetas. Gjithashtu, vihet në pranga një shtetas tjetër, për veprën penale “Përndjekja” si dhe procedohen penalisht 4 shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, dhe si rezultat i kontrollit të territori, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin Romës, Selenicë.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u ndalua shtetasi Xh. P, 28 vjeç, banues në fshatin Romës, pasi gjatë kontrollit pranë banesës së tij, në një sipërfaqe toke, u gjetën të kultivuara fidanë të dyshuar cannabis sativa.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë, arrestuan në flagrancë shtetasin G. A., 59 vjeç, banues në fshatin Kropisht, pasi ka përndjekur dhe shqetësuar një shtetase.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Himarë, proceduan penalisht për veprën penale “Shkatrrimi i pronës me zjarr”, shtetasin Z. M, pasi dyshohet se ka djegur me zjarr, një sipërfaqe të pyllëzuar në fshatin Pilur, Himarë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, proceduan penalisht për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, shtetasit D. I., 50 vjeç, B. I., 41 vjeçe dhe I. J., 23 vjeç, pasi mbrëmjen e djeshme, në lagjen Nr.1, Sarandë, për motive të dobëta, kanë goditur me grushta dhe sende të forta shtetasit R. DH., dhe A. Dh., (bashkëshortë). Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.