Në një konferencë shtypi në Shqipëri, Chris LaCivita, i cili doli këtë muaj me zotin Berisha, tha se nuk do t’i drejtohej administratës Trump në emër të zotit Berisha apo partisë së tij.
“Unë nuk loboj”, tha zoti LaCivita për ‘New York Times’. “Unë bëj fushata, dhe kjo është ajo që po bëj – shumë e drejtpërdrejtë”.
Artikulli i plotë i New York Times:
Chris LaCivita, një strateg republikan që ndihmoi në drejtimin e fushatës së Presidentit Trump, po këshillon një parti opozitare konservatore në Shqipëri të kryesuar nga një politikan i cili është përballur me akuza për korrupsion nga Departamenti i Shtetit në SHBA dhe prokurorët në vend.
Z. LaCivita, i cili u bë këshilltar i një grupi jofitimprurës pro-Trump pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor, është në mesin e një grushti këshilltarësh të Trump që kanë ndjekur punë këshilluese politike në mbarë botën për politikanët që e konsiderojnë veten si populistë ose kritikë të imigracionit në linjën e Trump.
Z. LaCivita po punon për Partinë Demokratike të Shqipërisë përpara zgjedhjeve parlamentare të vendit në maj, kur do të përpiqet të rrëzojë Partinë Socialiste të krahut të majtë nga pushteti. Në mesazhet me tekst për The New York Times, zoti LaCivita e karakterizoi punën e tij si një zgjatje të ndihmës së tij për zotin Trump.
“Unë po eksportoj MAGA – Bëje Shqipërinë të Madhe përsëri!”, ka shkruar Z. LaCivita.
Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë është Sali Berisha, një ish-president dhe kryeministër i cili po përballet me akuza për korrupsion në Shqipëri në lidhje me një marrëveshje pronash. Administrata Biden vendosi sanksione ndaj zotit Berisha në vitin 2021 për “korrupsion të konsiderueshëm”, sipas një deklarate të ish-sekretarit të shtetit Antony J. Blinken, i cili e akuzoi atë për shpërdorim të fondeve publike dhe përdorimin e pushtetit të tij për të pasuruar aleatët dhe familjen e tij.
Z. LaCivita argumentoi se akuzat ndaj zotit Berisha ishin të motivuara politikisht dhe shtoi se situata e politikanit shqiptar përafron me atë të zotit Trump.
“Është një përshtatje e natyrshme – të mundësh një socialist që është një peng dhe kukull e familjes Soros”, tha z. LaCivita, duke evokuar pretendimet e pabazuara të zotit Berisha se miliarderi demokrat George Soros qëndron pas sanksioneve. Zoti Berisha ka treguar se synon t’i kërkojë administratës Trump të rishqyrtojë sanksionet e Departamentit të Shtetit.
Z. Berisha ka përdorur punësimin e zotit LaCivita nga partia e tij për t’u lidhur me zotin Trump, megjithëse presidenti amerikan nuk ka sinjalizuar mbështetje për një parti të preferuar në zgjedhjet parlamentare. Zoti Berisha ka kërkuar gjithashtu të dallohet nga partia qeverisëse duke u zotuar se nëse opozita fiton, ajo nuk do të rinovojë marrëveshjen e Shqipërisë për pranimin e emigrantëve nga Italia.