Aktori i njohur hollivudian Chris Evans, i cili u bë i famshëm në mbarë botën për rolin e tij si “Captain America”, ka marrë një rol edhe më të rëndësishëm në jetën e tij personale, atë të babait. Sipas mediave amerikane, mes tyre TMZ, Evans dhe bashkëshortja e tij, aktorja portugeze Alba Baptista, kanë mirëpritur fëmijën e tyre të parë, pas dy vitesh martesë.
Edhe pse çifti nuk ka konfirmuar ende asnjë detaj, përfshirë gjininë apo emrin e foshnjës, raportohet se Baptista ka lindur të shtunën në Massachusetts. Thashethemet për shtatzëninë nisën që në korrik, pasi babai i aktores, Luiz Baptista, la një koment domethënës në rrjetet sociale, ku shkroi: “Chris, tani është radha jote!”, nën një postim për Ditën e Baballarëve.
Në një intervistë të mëparshme për People, Evans kishte folur për dëshirën për të zgjeruar familjen, duke thënë me humor se ai dhe Alba po mendonin të adoptonin një qenush ose një qen më të rritur. Më vonë, në nëntor 2024, ai u pyet nga Access Hollywood nëse dëshironte të bëhej “superhero baba”, dhe aktori u përgjigj: “Po, absolutisht. Të quhesh baba është një titull emocionues.”
Çifti u lidh për herë të parë në vitin 2021, ndërsa u panë publikisht bashkë në nëntor 2022. Vetëm një vit më vonë, në shtator 2023, ata u martuan në një ceremoni intime në Boston, ku morën pjesë edhe disa nga kolegët e tij nga “Avengers”.
