Champions League/ Real fitore me “zemër” në Napoli, Bayerni përmbys Copenhagen, Gallatasaraji “pushton” Old Traford (VIDEO)

Një mbrëmje e jashtëzakonshme Champions League, ku golat, kartonat dhe spektakëli nuk ka munguar në asnjë nga sfidat.

Real Madrid ka fituar mes golave ndaj Napolit me rezultatin 2-3. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-2. Të parët që kaluan në avantazh ishin italianët me Ostigard, ndërsa për spanjollët shënuan Vini Jr dhe Bellingham.

Në pjesën e dytë, Napoli barazoi me Zielinski, por Real Madrid gjeti golin e tretë me një super gol të Valverde.

Reali ka pikët e plota dhe kryeson grupin C, 3 më shumë se Napoli ndjekës dhe 3 më shumë se Braga e vendit të 3-të. Union Berlin duhet të përpiqet akoma në ndeshjet e radhës,  për të marrë pikët e parë.

Shikoni golat e ndeshjes Napoli-Real Madrid

Në grupin D, Inter arkëton 3 pikët e para. Sukses i vuajtur i zikaltër në Itali me shifrat 1-0 ndaj Benficës. Takimi u vendos nga një gol i Thuram, në fillimin e pjesës së dytë. kështu, ekipi i Inzaghit renditet në vendin e dytë me po aq pikë sa kryesuesit e Sociedad. 3 pikë i takojnë Salzburg-ut të vendit të 3-të, Benfica mbetet pa pikë deri më tani.

Shikoni golat e ndeshjes Inter-Benfica

Në grupin A, pritej të ishte një ndeshje e lehtë në letër për Bayern Munchen në Copenhagen (1-2), por nuk rezultoi ashtu. Vendasit ndëshkuan Ulreich në minutën e 56-të, ndërsa Musiala pas 10 minutash, riktheu ekuilibrat.

Djemtë e Tuchel rritën presionin për golin e fitores, ndaj një rivali mirë të vendosur në prapavijë. Goli i përmbysjes për kampionët e Gjermanisë mban firmën e Tel.

Shikoni golat e ndeshjes Copenhagen-Bayern M

Në po këtë grup, dramë për Manchester United që përmbyset në shtëpi me shifrat 2-3 nga Gallatasaray. Danezi Hojlund “tundi rrjetën” 2 herë në favor të “Djajve të kuq”, gjithsesi, entuziazmi i turqve ishte i jashtëzakonshëm dhe skuadra e Buruk dhuroi spektakël.

Fillimisht Zaha dhe më pas Kerem Akturkoglu dërguan shifrat në 2-2. Mundësinë e madhe për gol e pati edhe Icardi, por humbi penalltinë. Sulmuesi argjentinas rregulloi gabimin me golin e përmbysjes, 2 minuta më pas.

Shikoni golat e ndeshjes Man Utd-Galatasaray

Sa i takon renditjes, bavarezët kanë 6 pikë, të ndjekur nga Gallatasaray me 4 pikë, Copenhagen 1 pikë, ndërsa ende pa provuar shijen e pikës është United në pozitën e fundit.


Shtuar 3.10.2023 23:12