U deshën gati gjashtë muaj, tetë vizita të diplomatëve evropianë në Beograd dhe dhjetë vizita në Prishtinë që të bihet dakord për njëmbëdhjetë pikat e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat iu zbuluan publikut por që nuk u nënshkruan.
Komisioneri Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, pas raundit të negociatave të Brukselit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës njoftoi se presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri Albin Kurti ranë dakord që diskutimet e mëtejshme për tekstin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës më nuk janë të nevojshme.
Teksti i rënë dakord i marrëveshjes, i cili u negociua në fshehtësi për gati gjysmë viti, u publikua më në fund.
Mirëpo, asaj letre ende i mungon gjëja më e rëndësishme – nënshkrimet e liderëve të Serbisë dhe Kosovës.
Ajo që mungon është ajo që duhet t’i japë jetë marrëveshjes – një plan për ta zbatuar atë që shkruhet në të.
Të dy palët mbetën në të njëjtat pozicione si para takimit, i cili u ngjan shumë takimeve të mëparshme: entuziazmi i madh që mund të arrihej ndonjë rezultat konkret kur të dy palët të takoheshin, u zhduk ngadalë nga fundi i mbrëmjes dhe dalja e negociatorëve nga qendra diplomatike evropiane.
Takimi i radhës mes Vuçiqit dhe Kurtit u njoftua nga Presidenti i Serbisë: kur ndërmjetësi evropian Josep Borrell të vizitojë Maqedoninë e Veriut më 18 mars, ai do t’i kushtojë një pjesë të kohës liderëve të Serbisë dhe Kosovës.
Ata do të vizitohen nga i dërguari evropian Miroslav Lajçak, tetëmbëdhjetë vizitat e të cilit deri tani nuk kanë çuar ende te dy nënshkrimet e nevojshme.
Në pesë fjalitë e para të preambulës (pjesës hyrëse) të marrëveshjes, thuhet se të dyja palët e lidhin marrëveshjen për shkak të përgjegjësisë në ruajtjen e paqes, përkushtimit ndaj bashkëpunimit rajonal dhe evropian, si dhe tejkalimit të trashëgimisë të së kaluarës.
Në hyrje flitet edhe për ndërgjegjësimin e dy palëve se paprekshmëria e kufijve, respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë baza e paqes.
Neni 1 flet për vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore të bazuara në të drejta të barabarta, por edhe njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve: pasaporta, diploma, targa, vula doganore.
Neni 2 thotë se të dyja palët do të respektojnë rregullat e Kombeve të Bashkuara në lidhje me sovranitetin, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe mosdiskriminimin.
Neni 3 u bën thirrje të dyja palëve që të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe pa kërcënimin ose përdorimin e forcës.
Neni 4 thotë qartë se Serbia nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Neni 5 përcakton se Serbia dhe Kosova nuk do të bllokojnë njëra-tjetrën në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në nenin 6 përcaktohet edhe vazhdimi i dialogut nën udhëheqjen e BE-së edhe pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, para së gjithash për çështjet praktike të normalizimit të marrëdhënieve.
Neni 7 flet për të drejtat e pakicës serbe në Kosovë, të cilat duhet të mbrohen në përputhje me praktikën evropiane, të drejtën për një nivel të duhur të vetëqeverisjes për komunitetin serb, mundësinë e mbështetjes direkte dhe lidhjet e serbëve të Kosovës me Qeverinë e Serbisë, si dhe mbrojtja e Kishës Ortodokse Serbe.
Neni 8 parasheh themelimin e Misioneve të Përhershme diplomatike që do të shkëmbehen ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Neni 9 përshkruan rolin e donatorëve dhe investitorëve të BE-së dhe aktorëve të tjerë që do të sjellin para në Serbi dhe Kosovë.
Në nenin 10, nënshkruesve ua kujton obligimin për të përmbushur gjithçka që ishte rënë dakord më parë në dialog, por nuk thuhet shprehimisht themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe, për të cilin është rënë dakord në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.
Dhe neni i fundit, neni 11 i kushtohet dokumentit që mungon ende, e që është: një udhërrëfyes se si do të zbatohet marrëveshja me dhjetë nenet e mësipërme.
Çfarë i mungon marrëveshjes që do të nënshkruhet?
Bashkimin Evropian
Të gjitha shqetësimet e Brukselit zyrtar mund të përmblidhen në një fjali nga mesazhi i kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, pasi ndërmjetësoi edhe një herë takimin mes Aleksandër Vuçiqit dhe Albin Kurtit, i cili nuk përfundoi me marrëveshje:
“Ne kemi një histori shumë të gjatë marrëveshjesh që ende nuk janë zbatuar,” tha Borrell pas takimeve pesë orëshe, duke kujtuar para së gjithash marrëveshjen e Brukselit të pazbatuar nga viti 2013, por edhe marrëveshje të tjera të shumta midis Serbisë dhe Kosovës që ekzistojnë vetëm në letër.
Për të ndryshuar një histori të tillë, ndërmjetësit evropianë përshkruan detyrat e ardhshme.
“Palët kanë treguar gatishmërinë e tyre për të filluar zbatimin e marrëveshjes, por negociatat shtesë janë të nevojshme për të përcaktuar detajet e zbatimit të qëndrimeve të specifikuara në marrëveshje”, tha Borrell.
Kosova
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kritikoi palën serbe, e cila sipas tij nuk pranoi që të vihen nënshkrimet në marrëveshjen e dakorduar.
“Unë nuk firmosa sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme për të – unë isha i gatshëm dhe i interesuar ta nënshkruaja këtë tekst”.
“Ky takim është një konfirmim se propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm dhe kam thënë edhe më parë se është një bazë e mirë për bisedime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara, kështu që tani do të diskutohet për planin e zbatimit”, tha Kurti.
I pyetur nga gazetarët nëse në të vërtetë e ka pranuar në këtë mënyrë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, të cilën e kundërshtonte prej vitesh me aktivitetet e tij në opozitë, Kurti ka dhënë një përgjigje duke treguar se tashmë qytetarët dhe ekspertët do të mund të lexojnë tekstin e marrëveshjes për të cilin tha se përfaqësuesi i BE’së do ta publikonte shumë shpejtë.
“Neni 10 është neni i fundit i marrëveshjes dhe unë kam folur për të më parë”.
Në përgatitje të takimit, kryeministri i Kosovës deklaroi se formimi i Asociacionit të Komunave Serbe është i papranueshëm për Prishtinën dhe se mund të bëhet me vendosjen e kushteve shtesë të vendosura nga Kurti, pas së cilës bashkësia ndërkombëtare i bëri thirrje atij që të mos të kushtëzojë përmbushjen e detyrimeve të ndërmarra më parë.
Serbia
Presidenti i Serbisë është pyetur drejtpërdrejt dy herë pas takimit nëse Serbia e ka pranuar propozimin evropian, por Aleksandar Vuçiq asnjëherë nuk ka dhënë një përgjigje konkrete. Aleksandar Vuciq dhe Josep Borrell
“Ne nuk folëm për nënshkrimin e diçkaje dhe kjo është diçka tjetër – po pres të shoh planin e zbatimit, para së gjithash atë që ka të bëjë me marrëveshjet e arritura më parë.
“Kur ta zbatoni Bashkësinë e Komunave Serbe, atëherë mund të vazhdojmë të flasim”.
Asociacioni Komunave Serbe duhet të mbledhë komuna në Kosovë ku serbët përbëjnë shumicën e popullsisë. Për formimin e tij është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013, por deri më tani asgjë nuk është bërë për përmbushjen e këtij obligimi, përveç që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim që një pjesë e kësaj marrëveshjeje nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Për shkak të gjithë kësaj, Beogradi zyrtar nuk është më afër nënshkrimit të propozimit evropian sesa ishte para këtij raundi negociatash në Bruksel.
“Unë nuk mendoj se zoti Kurti ishte gati ta pranonte tani, shpresoj se do të jetë i gatshëm ta pranojë në të ardhmen”.
“Shpresoj se do të arrijmë disa kompromise, por kam frikë se do të ngecim në diçka që është nënshkruar shumë kohë më parë dhe është dashur të përmbushet shumë kohë më parë”, tha Vuçiq.
Shumë tema të tjera që mund të trajtohen nga marrëveshja evropiane mbeten të bllokuara.
“Çështjet e përfaqësimit rajonal dhe dokumentet personale mund të jenë tema, por kur të përfundojnë bisedimet për Bashkimin e Komunave Serbe, këto janë tema të rëndësishme për qytetarët dhe ne tashmë kemi më pak probleme atje, por së pari duhet të jetë e zbatuar gjithçka për të cilën është rënë dakord më parë”, tha presidenti serb.
Cilët janë hapat e mëtejshëm?
Pasi u takuan dhe u ndanë edhe një herë, pa u pajtuar në të njëjtën tryezë, Beogradi dhe Prishtina do të vazhdojnë të presin ndërmjetësuesit evropianë.
Diplomacia ‘fluturuese’ rezultoi të jetë një metodë më e suksesshme për afrimin e Serbisë dhe Kosovës, kështu që Miroslav Lajçak do të udhëtojë mes dy kryeqyteteve në ditët në vijim.
“Gjatë muajit mars do të thërras edhe një takim të dy liderëve me qëllim të përfundimit të bisedimeve për aneksin që do të flasë për zbatimin dhe që do të rregullojë fazën e zbatimit të marrëveshjes”, tha ndërmjetësi evropian Josep Borrell.
Në deklarimin e tij për mediat, datën e saktë të takimit nuk e ka bërë të ditur Borrell, por presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Ai paralajmëroi një takim të ri në një vend të ri: gjatë vizitës së Borrellit në Maqedoninë e Veriut më 18 mars, pjesë e programit do të jetë takimi me liderët e Serbisë dhe Kosovës.
Ai takim do të zhvillohet vetëm pak ditë para një afati krejtësisht të ri dhe të përcaktuar qartë për marrëveshjen e dy palëve.
Këshilli Evropian mblidhet më 23 dhe 24 mars dhe ata duan të kenë një raport deri atëherë nëse është arritur ndonjë gjë në këtë proces.
Vuçiq tha se ky në këtë takim do të trajtohen temat e procesit të integrimit të Serbisë, në përputhje me arritjet në procesin e dialogut.
Pesëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova u njoh nga më shumë se 100 shtete. Megjithatë numri i saktë nuk dihet.
Kosova thotë se janë 117 shtete që na kanë njohur. Ndërsa Serbia thotë se janë më pak, e duke pretenduar se disa edhe kanë tërhequr njohjet.
Ndër vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën janë Spanja, Sllovakia, Qiproja, Greqia dhe Rumania, e kur bëhet fjalë për fuqitë botërore, ato janë Rusia, Kina, Brazili dhe India.
Që nga viti 2008, Kosova është bërë anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, si FMN, Banka Botërore dhe FIFA, por jo edhe në Kombet e Bashkuara. / Gazeta Express