Çfarë roli ka kreu i Doganës së Durrësit, Denis Shabani në trafikimin e mbetjeve toksike dhe kush e mbështet bashkëshorten e tij në krye të AMF?

Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për lëndët e dyshuara toksike të eksportuara nga Shqipëria në drejtim të Tajlandës, siç tha në komunikatën e parë të saj, pas referimit nga doganat.

Por, nxitimi i doganës për të referuar te organi i akuzës këtë skandal, më shumë se përpjekje për të gjetur përgjegjësit e vërtetë të skandalit, është përpjekje për të hequr nga vetja përgjegjësitë e doganës së Durrësit dhe për më tepër të kreut të kësaj dogane, Denis Shabani.

Korrupsioni dhe lidhjet nepotike në këtë institucion po kërcënojnë sot ta fusin Shqipërinë në hartën e zezë të vendeve të trafikut të lëndëve toksike, teksa dosja është shumë e madhe për kapacitetet e Prokurorisë së Durrësit.

Prokuroria, në radhë të parë duhet të zbulojë përgjegjësitë e doganës. A u kontrollua ngarkesa? A u kryen verifikimet e përmbajtjes së kontejnerëve me dokumentacionin shoqërues? Si u kaluan mbi 800 tonë mbetje toksike me letra të falsifikuara, duke i deklaruar si oksid hekuri dhe cili ka qenë roli i doganave?

Nëse hetimi u jep përgjigje këtyre pyetjeve, atëherë do të kuptohet edhe se çfarë roli ka kreu i doganës së Durrësit, Denis Shabani në trafikimin e këtyre mbetjeve toksike.

Do të kuptohen edhe lidhjet nepotike të tij në institucionet e tjera, duke nisur nga bashkëshortja Mimoza Kaçi në krye të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, si sponsorizim i ish-ministrit Ervin Mete, por edhe i ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj.

Ky i fundit ka mbështetur emrin e saj në krye të këtij institucioni për shkak të interesave të lidhura fort me Denis Shabanin.

Nëse hetohen këto lidhje nga ana e Prokurorisë do të marrin përgjigje pyetjet se pse doganat kanë ngritur traun në këtë rast, apo edhe herë të tjera sipas logjikës së vetëdeklarimit të materialeve në kontejnerë.

Nga hetimi prokuroria mund të zbulojë gjithashtu se pas këtij trafiku mund të qëndrojë një grup i fuqishëm që vepron te doganat për interesa korruptive e personale dhe lidhjet e këtij grupi me kreun e përgjithshëm të doganave, Gent Gazheli, përmes Klodian Çanit, njohur edhe me nofkën si ‘urithi i doganave’ prej bëmave në këtë institucion.

Të gjitha indiciet të çojnë në përfundimin logjik se pas kalimit të ngarkesës qëndron një grup i strukturuar kriminal te doganat, për të cilin vetëm ky artikull nuk mjafton.

Grupi, nga njëra anë dyshohet se merr përsipër falsifikimin e dokumentacionit për mbi 800 tonë mbetje toksike dhe nga ana tjetër shpërndan për mediat njoftime për arrestime qytetarësh për mosdeklarim të 11 mijë, apo 20 mijë eurove.

Hetimet

Provat dhe faktet e mbledhura nga prokuroria e Durrësit deri më tani tregojnë se mbetjet janë prodhuar nga kompania Kurum, ndërsa kalimi i tyre në Portin Durrësit është shndërruar në një ping-pong përgjegjësie mes institucioneve.

Por, kush janë përgjegjësit kryesorë? Dyshohet se Kurum dhe kompania e pajtuar prej saj për transportin e mbetjeve toksike ka korruptuar zinxhirin e hetimit doganor, duke nisur nga Elbasani, Durrësi dhe deri te drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Burime të Voxnews.al tregojnë se në lidhje me ngarkesën e dyshimtë, kreu i Doganave, Gent Gazheli është informuar në dhjetë ditët e fundit të muajit korrik, para se skandali të bëhej publik nga Bloomberg.

Burimet pohojnë se nga komunikimet jozyrtare mes kreut të përgjithshëm të doganës dhe shefit të doganës së Durrësit i është këshilluar këtij të fundit që të referonte dosjen në prokurori, para se të mund të bënte të njëjtën gjë Porti i Durrësit, apo policia kufitare.

Por, hetimet kanë zbardhur deri më tani se Kompania Kurum ka përdorur kompaninë Sokolaj shpk për të hequr nga vetja përgjegjësinë, ndërsa të dyja kompanitë kanë paraqitur në dogana fatura shitjesh fiktive, sikur ngarkesa ishte oksid hekuri, në një kohë që ato janë mbetje pluhuri të furrnaltës, që konsiderohet toksik. /voxnews/


Shtuar 29.08.2024 18:44