Çfarë po ndodh në azilin e Pejës? Pronari kërcënohet nga familjari i infermieres, ndërhyn policia

Policia e Kosovës ka shkuar në qendrën “Orenda” në Pejë pak minuta më parë.

Sipas gazetares së T7, Blerta Zuka, atje është arrestuar burri i njërës nga infermieret.

Ai është arrestuar pasi dyshohet që e ka kërcënuar pronarin e kësaj qendre, Anton Rasaj.

Lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës. Sipas PK-së rasti ka ndodhur më 29 tetor derisa sot në rrjete sociale është publikuar videoja e momentit kur një infermiere e godet me shuplaka e shqelma një të moshuar, ndërsa disa të tjera veç qeshin dhe një nga to e incizon momentin.

Tashmë, janë arrestuar dy infermiere, derisa katër janë suspenduara.

Nga kjo qendër, e moshuara është larguar. Prezente ka qenë vajza dhe dhëndri i saj.

Dhëndrri i saj ka prezantuar para gazetarëve dokumentin të cilin e morën pasi bënë kërkesë që ajo të dalë nga aty.

Në dokument thuhet se ajo “tërhiqet nga Qendra për përkujdesjen e të moshuarve, Orenda” dhe se “tërheqja bëhet me kërkesë të familjarëve”.

Lidhur me rastin është deklaruar edhe prokurori i rastit, Dorjan Juniku.

“Pas pranimit të informacionit të parë lidhur me ngjarjen e cila ka ndodhur sot në qytetin e Pejës, nga kryeprokurori i zyrës Agim Kurmehaj, jemi angazhuar dy prokurorë, ashtu që pas marrjes së autorizimeve kemi vazhduar me të gjitha veprimet ligjore ashtu që në mënyrë shumë të shpejtë bashkë me policinë kemi arritur të arrestojmë dy të dyshuarat me inicialet A.P. dhe A.R., nën dyshimet që kanë kryer veprën penale të sulmit dhe dhënia e ndihmës në kryerjen e veprës penale të sulmit”, tha ai para mediave./Gazeta Express.

Shtuar 2.11.2022 20:12