Më 11 prill të 1985 vdiq Enver Hoxha. Vdekja e diktatorit pasoi disa ditë zie kombëtare dhe vajtimet kolektive publike me hir dhe pahir zgjatën deri më 15 prill, ditë kur u varros. Sot, 37 vite më vonë ato ngjarje shihen si një ndër aktet e fundit të tragji-komedisë komuniste shqiptare.
Lajmi i vdekjes së diktatorit tejkaloi kufijtë e hermetizuar të shtetit shqiptar dhe u pasqyrua gjerësisht në mediat ndërkombëtare. Njëra prej tyre ishte edhe britanikja “The Guardian”, që në artikullin e publikuar më 12 prill, një ditë pas vdekjes së Hoxhës, flet me optimizëm për një epokë të re ndryshimi.
Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë, ai pëson një infarkt në zemër në vitin 1972, më pas një tjetër në vitin 1973, këto dy infarkte e rënduan akoma shumë shëndetin e tij. Fillimi i prillit do të shënojë edhe fundin e jetës së tij, pasi i janë paralizuar këmbët edhe goja, pëson një ishemi më 9 prill 1985, ndërsa vdes dy ditë më vonë.