Pasi ka marrë të gjitha masat për të vrarë politikisht kryebashkiakun e burgosur Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama, po planifikon se si do të qeveriset në detaje Tirana.
Me sa duket rolin kryesor në këtë projekt do e ketë Bela “punëmbaruara” dhe kjo është vënë re dje, në takimin e kryeministrit me drejtuesit e bashkisë ministrat dhe deputetët e qarkut Tiranë.
Gjithçka ka ndodhur pasi fjalimi para kamerave mbaroi dhe ato u fikën, duke i dhënë fund transmetimit live.
Rama përsëriti edhe njëherë mesazhin se nuk dihet çdo të ndodhë me zgjedhjet e parakohëshme, nëse do të ketë të tilla apo jo dhe pastaj u largua duke ia deleguar kompetencat ministrave të tij.
Formalisht, në mungesë të Erion Veliajt dhe pasi janë eleminuar nga zyrat të gjithë drejtuesit e tij të besuar drejtimin e bashkisë Rama ia ka deleguar katër ministrave: Ogerta Manastirliut, që do të merret me strukturat, Blendi Gonxhes, që do të mbulojë trafikun, transportin dhe parkingjet, Petrit Malajt që do të mbikqyrë financat dhe mbi të gjitha Belinda Ballukut, e cila nuk do të përgjigjet vetëm për shërbimet, por që do të jetë edhe syri e veshi i shefit, për atë që ndodh në vendin e lënë bosh nga Veliaj.
Kjo u kuptua edhe nga fjala që mbajti dje Bela, përpara deputetëve dhe drejtorëve të bashkisë, pas largimit të Ramës.
Një burim brenda mbledhjes rrëfeu për Lapsi.al se toni i saj qe i ashpër dhe kritik, si në padrone e vërtetë e këtij institucioni.
Balluku është akuzuar shpesh se ka pasur një rivalitet të ashpër me “Lalin”, se ajo financonte në mënyrë indirekte protestat e opozitës para bashkisë e madje ajo është fshikulluar edhe nga një sërë mediash pro qeveritare dhe pro Veliajt se ka përgatitur dosjen me emrin anonim të Nesti Angonit, për ta burgosur vëllain e saj armik.
“Sikur të gjitha këto që ju thoni të ishin të vërteta Balluku nuk e fshehu të hënën se ajo ndodhej në vendin që i takonte”,-vazhdoi burimi i Lapsi.al.
“Nuk qe e rastësishme që pasi Rama foli në përgjithësi, duke u marrë edhe me Thethin para kamerave, ai ia la drejtimin e mbledhjes për Tiranën Belës”, theksoi ai në kushtet e anonimatit.
Sipas këtij rrëfimi, Balluku është treguar e prerë dhe arrogante.
“Unë do të jem më e drejtpërdrejtë se kolegët e mij ministra. Unë i njoh mirë problemet e kësaj bashkie sepse kam qenë në të kaluarn pjesë e saj”, i’u drejtua zv kryeministrja drejtorëve, duke lënë të kuptohet se ishte në zotërim të situatës dhe nuk priste të kundërshtohej nga askush.
Ajo i ka fshikulluar ata për mungesë bashkëpunimi me qeverinë, duke lënë të kuptohet se tani bashkia e Tiranës ka zot.
Edhe benjamini i saj, ministri i Financave Petrit Malaj, kur e mori fjalën me stilin e vet të mefshët, vuri theksin – natyrisht jo pa leje – te shpenzimet e shumta që kishte bashkia, të trashëguara nga koha e Veliajt për të ardhura që i mblidhte kryesisht nga industria e ndërtimit.
“Kur mbledhja përfundoi drejtorët dhe punonjësit e bashkisë nuk dinin nëse duhet të gezoheshin, që Rama nuk kërkoi edhe këtu dorëheqje masive dhe nuk artikuloi kritika të forta, apo të mërziteshin për faktin se ai po i linte mbi kokë Belinda Ballukun, që njihet për sjelljet e saj proverbiale me vartësit me të cilët nuk ka gjë për të ndarë. As në makthin e tyre më të çmendur këta drejtues të kohës së Lalit nuk e kishin imagjinuar se do të përfundonin në dorë të Belës”, komentoi burimi i Lapsit.
Ende nuk dihet nëse ky komandim pa spaleta i Ballukut nga Rama, është bërë thjeshtë për të kordinuar mbarëvajtjen e punës së përditshme në institucion, apo ai lidhet edhe me hipotezën e zgjedhjeve të parakohëshme në Tiranë, të cilën edhe njëherë kryeministri e la të hapur sikur ajo të mos vendoset prej tij, por prej drejtësisë.
Emri i Belinda Ballukut, është përfolur mes socialistëve edhe për një kandidim të mundshëm për Tiranën madje ajo për shumkënd është një pretendente më e fortë (sidomos pas provës që kaloi në Fier) edhe se Elisa Spiropali apo Blendi Gonxhe, që thuhet se i kanë vënë syrin këtij posti.
Por gjithësesi, ndonëse në dy deklarata me radhë Rama e ka lënë të hapur mundësinë e bashkimit të Tiranës me 3 bashkitë e tjera që do të futen në zgjedhje të parakohëshme, duket se ai nuk e ka marë vendimin final për shkarkimin e Veliajt, të cilit, pasi iu mohua kërkesa për një masë arresti më të butë edhe nga Gjykata e Lartë, nuk duket më të ketë të ardhme politike./Lapsi.al