Çfarë i lidh dy atentatet e ndodhura në Shkodër/ Dyshohet se kanë të njëjtin autor

Mëngjesin e sotëm, Shkodra u trondit nga një atentat me armë zjarri në një lokal pranë godinës së bashkisë, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.

Ky sulm vjen vetëm tre ditë pas vrasjes mafioze të 34-vjeçarit Kristian Kola, teksa po pinte kafe tek një lokal te “Kinema Republika”.

Burimet për Euronews Albania, bëjnë me dije se nga analizat e kamerave dhe hetimet paraprake, autori i të dy ngjarjeve ka tipare fizike të ngjashme dhe përdor një mënyrë të ngjashme ekzekutimi.

Hetuesit dyshojnë se për shkak të ngjashmërisë fizike dhe mënyrës së kryerjes së atentatit, ku hapet zjarr nga një motor, dyshohet se kemi të bëjmë me të njëjtin autor.

Autori i arrestuar për atentatin e sotëm është Ragip Gilaj, i cili u kap teksa po largohej nga vendngjarja. Ai braktisi motorin dhe tentoi të largohej me një automjet, por pas një aksidenti në zonën e ish-kryqëzimit të “Degës”, u arrestua nga policia. Pamjet e siguruara nga Euroneës Albania tregojnë momentin kur efektivët e ndjekin dhe e arrestojnë.

Viktimate atentatit të kësaj të hëne janë identifikuar si Armando Pali, ish-punonjës i IMT-së dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, dhe Liridon Kraja

Të plagosur mbetën Erogen Vaso (Erogan Brajoviç), i dyshuar si objektivi kryesor i atentatit, dhe kamarierja e lokalit.

Burimet bëjnë me dije se Rakip Gilla, kishte qenë më parë i arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe trafik droge, por ishte liruar nga autoritetet.

Ai dyshohet të jetë një vrasës me pagesë, ndërsa hetimet për lidhjet dhe motivet e dy atentateve vijojnë./Euronews


Shtuar 8.09.2025 12:13