Çfarë i dëmton valvulat e zemrës?

Funksioni normal i valvulave lejon rrjedhën e gjakut në rrugën e duhur, me një shpejtësi të caktuar dhe në kohën e duhur. Ndryshimet patologjike të cilat i prekin valvulat, ndikojnë në funksionin e tyre duke i bërë ato tepër të ngushta dhe të forta dhe kështu ato nuk mund të hapen dhe mbyllen plotësisht.
Ky funksion i parregullt ndikon në rrjedhën e gjakut (kthimin apo ngadalësimin e gjakut). Ky problem mund të ndikojë në muskulin e zemrës dhe të shkaktojë dobësim të zemrës. Mbajtja e gjakut shkakton rritjen e zemrës duke dëmtuar funksionin e saj. Zmadhimi i atriumeve e bën të pamundur rrjedhën normale të gjakut, gjatë të cilit rritet rreziku i koagulimit (mpiksjes së gjakut). Një gjendje e tillë mund të shkaktojë emboli në mushkëri ose në tru (goditje në tru).
Simptomat
Simptomat e sëmundjeve të valvulave të zemrës mund të shfaqen në varësi të shpejtësisë së zhvillimit të sëmundjes. Nëse sëmundja përparon ngadalë, zemra mund të përshtatet me simptomat dhe ato të mos vërehen. Një pjesë e simptomave janë të ngjashme me ato të dobësimit të zemrës:
– Vështirësi në frymëmarrje
– Palpitacione të zemrës (ndjesi sikur të pushojnë rrahjet e zemrës për një moment, apo zemra rreh më fort)
– Dhimbje në pjesën e gjoksit
– Enjtje të kyçeve te këmbëve
– Lodhje
– Marramendje apo humbje të vetëdijes
– Ethe (endokardit bakterial)
– Rritje të peshës trupore për shkak të akumulimit të ujit në trup.
Shkaqet
Sëmundjet e valvulave të zemrës mund të jenë të lindura por mund të shfaqen edhe me kalimin e viteve në jetë. Shkaqet më të shpeshta janë: ndryshimet degjenerative të valvulave pavarësisht nga mosha, ethet reumatike (në ditët e sotme ndodh shumë rrallë), endokarditi bakterial (infeksion të valvulave brenda në zemër), presioni i lartë i gjakut dhe aterioskleroza mund ta dëmtojnë valvulën e aortës, sulmi në zemër mund ti dëmtojë muskujt të cilët i kontrollojnë valvulat, trauma.
Diagnoza
Zbulimi i “zhurmës së zemrës” arrihet me anë të një ekzaminimi rutinë me stetoskop i cili tregon mundësinë e mundshme të sëmundjes së valvulave. Mënyra e gjetjes së diagnozës së saktë bëhet edhe me anë të EKG (elektrokardiogram), fotografimi me rreze X në pjesën e kraharorit, ekoja e zemërs është metoda më e rëndësishme për diagnostikimin dhe vizualizimin e valvulave me ndihmë e të cilës përcaktohet edhe funksioni i tyre. Procesi i diagnostikimit, sipas nevojës mund të plotësohet edhe me kryerjen e testit të stresit (stres test) dhe koronarografisë.
Trajtimi
Trajtimi varet nga shkalla e dëmtimit të valvulave. Shkalla e lehtë dhe e mesme e dëmtimit të valvulave me anë të ekos, zakonisht mund të zgjidhet me anë të metodës konservative me ilaçe, medikamentoze. Shkalla më e avancuar e dëmtimit të valvulave zakonisht zgjidhet me anë të kirurgjisë.
Kirurgjia mund të përfshijë:
– Riparimin e valvulave të zemrës
– Zëvendësimin e valvulave të zemrës.