“Treni bullgar” është termi që po përmendet shpesh ditët e hedhur nga kreu i PD-së Sali Berisha dhe përfaqësuesit e opozitës, se u përdor si pjesë e manipulimeve në zgjedhjet e 11 majit.
Fillimisht ishte një numëruese e Partisë Demokratike në njësinë 9 në Tiranë.
Ajo ngriti dyshimin se përse një tufë fletësh votimi, ishin palosur në të njëjtën mënyrë dhe kishin votuar të gjitha për Partinë Socialiste.
Më pas, përfaqësuesit e opozitës e përdorën këtë term edhe pasi në qendrën e numërimit te “Sami Frashëri” u gjetën disa fletë, të cilat kishin ngjyrë pak më të zbehtë se e verdha e fletëve të tjera.
“Treni bullgar” është një skemë e përdorur për herë të parë në Bullgari në vitin 2009, ku qytetarët që shisnin votën, merrnin në hyrje të qendrave të votimit një fletë të plotësuar dhe pasi hynin brenda votonin me fletën e plotësuar dhe dilnin nga qendra me fletë boshe. Fleta boshe plotësohej dhe i jepej një tjetër zgjedhësi.
Me këtë skemë rezultoi në atë kohë se ishin blerë rreth 300 mijë vota, kryesisht nga komuniteti i varfër i romëve të Bullgarisë.
“Treni bullgar”, deri tani, nga opozita është pretenduar se është aplikuar në Tiranë dhe në Elbasan./Lapsi