Çfarë e pret Rusinë pas Vladimir Putinit

Nga Margarita Lyutova “Meduza

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Politologia Erica Frantz, profesoreshë e asociuar në Universitetin Shtetëror të Miçiganit, SHBA, po i studion regjimet autoritare për më shumë se 15 vjet, dhe ka shkruar shumë libra mbi këtë temë. Ajo dhe bashkautorët e librave saj, kanë krijuar një bazë të dhënash me rreth 300 regjime autoritare që kanë ekzistuar në mbarë globin që nga viti 1946.

Duke përdorur këto të dhëna, studiuesit kanë analizuar në detaje se si dhe pse autokracitë e ndryshme janë rrëzuar, sa shpesh udhëheqësit e tyre kanë rënë nga pushteti pas fillimit të luftërave, dhe çfarë ka ndodhur me vendet e tyre pas vdekjes së tyre. Në një intervistë për “Meduza”, Frantz thotë se çfarë parashikon kërkimi i saj parashikon për të ardhmen e Rusisë.

Sa mund të na tregojnë autokracitë e së kaluarës për ato aktuale?

Në përgjithësi, ekzistojnë disa tipare themelore të diktaturave, përmes së cilave mund të kuptohen ato. Unë prirem të analizoj 2 struktura kryesore:partinë në pushtet dhe rolin e forcave të sigurisë. A është aparati i sigurisë në frenat e qeverisë, i pavarur nga lideri, apo plotësisht në dispozicion të tij? Këta dy faktorë priren të çojnë në shumë rezultate të ndryshme për të cilat mund të na interesojnë.

Pse mbajnë zgjedhje autokratët e sotëm?

Arsyeja e parë është se për këtë ka një presion ndërkombëtar. Konsensusi midis qytetarëve të zakonshëm dhe midis aktorëve kryesorë politikë, është se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes. Nga ana tjetër nëse ata mbajnë zgjedhje përfitojnë më shumë ndihma nga jashtë.

Regjimet autoritare janë shumë të afta në shitjen e zgjedhjeve të tyre si konkurruese edhe kur ato nuk janë. Dhe kjo jep një mesazh legjitimiteti për regjimin:se këto grupime kanë në fakt mbështetjen e popullit. Për më tepër, një numër i madh studimesh tregojnë se diktaturat që mbajnë rregullisht zgjedhje dhe lejojnë shumë parti të konkurrojnë, janë më jetëgjata.

Çfarë mendoni se i detyron udhëheqësit autokratë të humbasin pushtetin e tyre? Bazuar në punën tuaj, vlen të theksohet se fundi i mbretërimit të një lideri nuk paraqet gjithmonë fundin e një regjimi…

Po, ne e dimë që mbijetesa e liderit dhe mbijetesa e regjimit nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë. Në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, në rreth gjysmën e rasteve kur liderët kanë rënë nga pushteti, ata thjesht janë pasuar nga një zëvendës dhe regjimi i tyre vazhdon.

Në gjysmën tjetër të rasteve, kur lideri bie nga pushteti, regjimi bie bashkë me të. Në përgjithësi, regjimet ushtarake, të cilat ishin shumë të zakonshme gjatë Luftës së Ftohtë, janë sot më pak të zakonshme. Ato prireshin të ishin më jetëshkurtrat nga të gjitha diktaturat, por ka shumë të ngjarë të rrëzohen përmes negociatave.

Dhe ky negocim krijon një mjedis që është shumë i mirë për demokracinë. Pra, midis gjithë këtyre diktaturave, diktaturat ushtarake janë më të mundshmet për t’u demokratizuar. Dhe për këtë ka shumë shembuj nga Amerika Latine.

Pse liderët e autokracive personaliste janë kapur kaq fort pas pushtetit? A vjen kjo  për shkak të rreziqeve me të cilat mund të përballen nëse e humbin atë?

Po. Për shkak se kanë krijuar shumë armiq kur qeverisin dhe spastrojnë rivalët, ata kanë shumë frikë se mund të internohen ose burgosen apo vriten kur të largohen nga pushteti.

Dhe këtë e vërtetojnë edhe të dhënat historike.

Ne kemi më shumë gjasa të shohim dhunë, kur këta liderë dhe regjimet e tyre të largohen nga pushteti. Dhe kjo lloj dhune, qoftë nëpërmjet një revolte, një pushtimi të huaj, apo një lufte civile, nuk është një terren i mirë për demokraci.

Shumë lexues rusë po mendojnë ndoshta për vdekjen e Stalinit. Regjimi sovjetik vazhdoi edhe pasi tij, por ndryshoi ndjeshëm, duke u zbutur. A çon zakonisht në liberalizim vdekja e një udhëheqësi autoritar? Apo mund të kemi shtypje të mëtejshme?

Mjerisht janë të mundura që të dyja. Kur vdiq Stalini, gjërat në Bashkimin Sovjetik u përmirësuan disi në aspektin e zbutjes së represionit. Por ka edhe situata si në Korenë e Veriut ku që prej vdekjes së babait të tij, Kim Jong Un ka kryer vërtet shumë spastrime.

Në përgjithësi, në diktaturat personaliste, pasardhësit duket se kanë pak më shumë sfida për të përcjellë legjitimitetin e tyre, për shkak të mungesës së një mënyre më të mirë për ta komunikuar atë.

Pra, këta udhëheqës besojnë se rreziqet e lidhura me zhvillimin e një lufte dhe mundësia e humbjes janë më të ulëta se sa rreziqet që ajo të përfundojë keq?

Po, dhe madje e përdorin luftën si një bast për ri-ngritje. Në fillim, studiuesit mendonin se të gjithë liderët, madje edhe ata demokratë, kishin më shumë gjasa të përpiqeshin ta përdornin luftën si një taktikë diversioni. Në fakt vetëm ky nëngrup liderësh, mendojnë se gjërat do të jenë vërtet keq për ta nëse nuk bëjnë diçka.

Prandaj ata rrezikojnë dhe nisin një luftë, siç po bën Vladimir Putini. Ka një studim që tregon se kur udhëheqësit shkojnë në luftë (dhe jo vetëm ata autokratë), bie rreziku për t’u rrëzuar nga një grusht shteti. Pra ai mund të funksionojë dhe të ndihmojë në mbrojtjen e liderëve.

Midis ekspertëve dhe analistëve, ekziston një ide mjaft e përhapur se Putini do ta zhvillojë këtë luftë për sa kohë të jetë gjallë, pasi ai e sheh atë si mjetin e tij të vetëm  për të qëndruar në pushtet. Çfarë mendoni për këtë?

Jam dakord. Por nuk mendoj se ka qenë ky qëllimi në fillim. Ka shumë prova që ai është befasuar nga vështirësitë që ka hasur. Ai mendoi se do të hynte në Ukrainë, do të arrinte qëllimet e tij dhe më pas do të përfundonte operacionin.

Por reagimi i ukrainasve e befasoi. Tani që gjërat po zvarriten, ai e ka lidhur aq shumë trashëgiminë e tij me këtë luftë dhe rezultatin e saj, saqë duhet ta vazhdojë nëse do të që të ketë ndonjë të ardhme politike. Ose i duhet një fitore vendimtare, e cila as që po duket në horizont. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 17.05.2023 14:00