Çfarë do të ndodhë me fiskalizimin në 2022?

Ministria e Financave dhe Ekonomisë vendosi shtyrjen deri më 30 qershor 2022 të periudhës pa gjoba për biznesin e vogël. Kontabilistët e kundërshtojnë vendimin, pasi penalizon të mëdhenjtë, kur ende ka probleme të pazgjidhura. AmCham dhe kompanitë e kasave kërkuan shtyrje të periudhës pa penalitete për një vit. Tatimet nuk presin fiskalizim të plotë për 120,000 subjekte, pasi një kategori e tyre janë mbyllur.

Shtyhet edhe me 6 muaj periudha pa penalitete për biznesin e vogël që nuk është fiskalizuar. Gjobat për subjektet e vogla do të fillojnë të aplikohen pas 30 qershorit 2022, sipas ndryshimeve të Aktit Normativ për shtesën në ligjin “Për procedurat tatimore” i botuar në Fletoren Zyrtare më 27 dhjetor 2021. Afati fillestar ishte 31 dhjetor 2021.

Periudha pa gjoba do të zbatohet deri në fund të qershorit 2022 edhe për ndërmarrjet që ofrojnë furnizimin me ujë për konsumatorët finalë, si dhe tregu i rregulluar i energjisë elektrike; bankat apo institucionet financiare për njoftimin e pagesave të e-Faturave të lëshuara nga subjektet tatimpaguese.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se vendimi synon dhënien e kohës të mjaftueshme që të ngrenë, të përshtasin dhe të familjarizohen me lehtësi dhe sa më mirë me fiskalizimin. “Qasja jonë do të vijojë të jetë edukuese dhe këshilluese, me qëllim rritje e efektivitetit të procesit, zbatimin e plotë dhe raportimin në kohë reale”, pohoi znj. Ibrahimaj.

Vendimi për shtyrjen e periudhës pa penalitete merret kur vetëm 42% e biznesit të vogël janë fiskalizuar. Një vit nga fillimi i fiskalizimit, procesi po zbatohet nga 50% e bizneseve që kanë detyrimin të fiskalizohen dhe me problematika të pazgjidhura teknike. Deri në mesin e dhjetorit, nuk ishin pajisur me certifikata elektronike edhe 25% e subjekteve.

Shtyrja e afatit vetëm për subjektet e vogla u kundërshtua nga kontabilistët, pasi kjo masë automatikisht dëmton sipërmarrjen e madhe. Problematikat që u paraqitën nga kontabilistët në takimin me temë “Fiskalizimi, mundësitë, sfidat dhe vështirësitë”, nuk e shmangin shtyrjen e procesit, jo vetëm për biznesin e vogël, por edhe për të mëdhenjtë.

Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe kompanitë e tregtimit të kasave kërkuan shtyrjen e afatit pa penalitete edhe për një vit për bizneset e pafiskalizuara. Për herë të parë Akti Normativ për mospalikim të gjobave u miratua në fund të muajit shtator 2021 kur nisi zbatimin faza III për tatimpaguesit e vegjël. Vendimi parashikonte përfundimin e afatit të periudhës pa penalitete deri më 31 dhjetor 2021.

Zbatimi i procesit, pavarësisht se nuk është i plotë, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, po jep efekte pozitive në uljen e informalitetit. Për periudhën janar-nëntor, arkëtimi i TVSH-së është 4% më shumë se në 2019-n dhe të ardhurat janë 7% më tepër. Administrata tatimore parashikon se faturimi i ri do të rrisë të ardhurat e TVSH-së 10 deri në 11% më shumë se tani në 5 vitet e ardhshme.

Sa biznese pritet të fiskalizohen

Administrata tatimore nuk parashikon fiskalizim të plotë të 120,000 bizneseve. Në takimin e zhvilluar me kontabilistët, përfaqësuesja e DPT-së u shpreh se janë një numër subjektesh të mëdha dhe të vogla të mbyllura, por duke qenë se kanë ende detyrime fiskale të papaguara, nuk kalojnë dot në status pasiv.

“Për këtë arsye, numri i bizneseve të fiskalizuara do të jetë më pak se 120,000 subjekte”, pohoi DPT. Deri më 14 dhjetor, sipas të dhënave të Tatimeve që u prezantuan në takim, janë fiskalizuar 60,000 subjekte nga 120,000 i totalit të bizneseve aktive. Me certifikatën elektronike janë të pajisur 89,000 biznese (75% e totalit të tyre). 42% e totalit të bizneseve të vogla janë fiskalizuar, ndërsa po shkon drejt mbylljes procesi për biznesin e madh. Deri në mesin e dhjetorit u fiskalizuan 74% e tyre.

Tatimet pranuan se ecuria e faturimit të ri është ende në nivele të ulëta për biznesin e vogël. Vonesa në përgjigje për materialet e përshtatjes së kasave ndaj kompanive të pajisjeve fiskale, problematikë e krijuar për shkak të pandemisë konsiderohet nga DPT faktori kryesor që ka penguar biznesin e vogël të fiskalizohet. “Tatimpaguesit e vegjël janë më tepër të familjarizuar me përdorimin e pajisjeve fiskale.

Për fiskalizimin nga këta tatimpagues po kërkohet më tepër përdorimi i kasës së përditësuar. Për sa i përket biznesit të madh, fundi i vitit 2021 i gjen të gjithë të fiskalizuar”, theksuan Tatimet në takimin e kontabilistëve. Aktive rezultojnë 163,611 kasa fiskale.

Numri i kasave që nuk mbështesin fiskalizmin është në 9,605 (6% e totalit të kasave). Ndërsa numri i kasave fiskale që përshtaten për faturimin e ri janë 154,006. Deri në fund të tetorit, 7% e atyre bizneseve që përdorin kasat fiskale kanë zgjedhur të punojnë me pajisjen fiskale të azhurnuar për procesin e fiskalizimit.

Fiskalizimi në shifra

“Numri i bizneseve të fiskalizuara do të jetë më pak se 120,000 subjekte”, pohoi DPT. Deri më 14 dhjetor, sipas të dhënave të Tatimeve që u prezantuan në takim, janë fiskalizuar 60,000 subjekte nga 120,000 i totalit të bizneseve aktive. Me certifikatën elektronike janë të pajisur 89,000 biznese (75% e totalit të tyre). 42% e totalit të bizneseve të vogla janë fiskalizuar, ndërsa po shkon drejt mbylljes procesi për biznesin e madh. Deri në mesin e dhjetorit u fiskalizuan 74% e tyre.

Tatimet nisin në 2022 monitorimin e kompanive software

Në total janë të licencuara 36 kompani që ofrojnë zgjidhjet software të fiskalizimit. 2022 do të nisë me zbatimin e disa elementëve rregullues mes DPT-së, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe kompanive software. “Ofertuesit e zgjidhjeve software do të monitorohen me qëllim shmangien e problematikave. Për monitorimin e tyre do të hartohen disa elemente rregulluese të mbështetur në ligjin për fiskalizimin”.

Në fazën e dytë të fiskalizimit, në muajin korrik, ku u rrit numri i bizneseve pjesëmarrëse për faturimin e ri, kontabilistët ngritën si shqetësim se disa nga kompanitë e certifikuara për programet software, nuk ishin në gjendje të hartonin faturën në formatin e duhur dhe për të përcjellë të dhëna sipas formatit të ri. Kompanitë nuk ofronin edhe ndërlidhjen direkte të programeve software me programet e kontabilitetit që përdorej nga shumica e bizneseve.

Referuar çmimeve të tregut, kostoja për përditësimin e një programi kontabiliteti varionte nga 32,000 lekë dhe tarifë shërbimi 26,000 lekë. Situata u ndoq me shqetësim nga kontabilistët, pasi nëse bizneset do të vazhdonin të qëndronin me të njëjtin program, rrezikonin të mos kryenin pasqyrat financiare.

Për zgjidhjen e këtij ngërçi, më 20 korrik, u botuan në Fletoren Zyrtare ndryshimet e vendimit “Për kërkesat teknike dhe funksionale të zgjidhjes software, për procedurën e faturimit dhe të fiskalizimit, si dhe procedurën e kritereve për regjistrimin e prodhuesve e të mirëmbajtësve të zgjidhjeve software” që lejonte operatorët të përmirësonin versionet e programeve të tyre.

Problematikat e procesit

Ndërprerja e internetit jashtë zonave urbane, kostot e larta të fiskalizimit për sipërmarrjet importuese, pasqyrimi jo i duhur i librave të shitjes në platformën SelfCare sipas metodikës së familjarizuar për sipërmarrjet në e-filling, mungesa e ndërveprimit me bizneset që nuk janë pajisur me certifikatë elektronike ishin shqetësimet kryesore të prezantuara në konferencën e mbajtur nga ekspertët dhe audituesit nga IKM dhe IEKA.

Vlerësimi kryesor i bërë nga të gjithë palët në këtë takim ishte që procesi i fiskalizmit është i rëndësishëm dhe duhet të realizohet me sukses. Fiskalizimi mund të ndihmojë në përmirësimin e mbledhjes së tatimeve, të reduktojë informalitetin etj.

Shqetësimi i pëgjithshëm i diskutimeve përvec të tjerash ishte që ky proces të realizohet sa më mirë, të pranohet sa më gjerësisht dhe të mos ketë probleme të cilat do të mund të pengonin, vështirësonin apo edhe kundërshtonin fiskalizmin.

Për këtë arsye, nisur nga rëndësia e këtij procesi u evidentuan problemet kryesore që dolën nga prezantimet dhe diskutimet e bëra në këtë takim si dhe rekomandimet për zgjidhjen e tyre. Përfaqësuesja e departamentit të kontabilitetit, në Fakultetin Ekonomik, Ingrid Shuli, nënvizoi domosdoshmërinë e menaxhimit më të mirë teknik të procesit, pasi bizneset po përballen me probleme që nisin që nga dobësia e rrjetit të internetit deri te serverët e mbingarkuara të AKSHI-t.

Sipas saj, mbetet ende i pasqaruar pranimi dhe inventarizimi i faturës, për rastet kur produktet blihen me peshë dhe shiten me copë. Shqetësuese është kostoja e larta e zëvendësimit të zgjidhjeve softëare për bizneset që e kanë përdorur para fiskalizimit. Kostoja më e lartë është për bizneset e importit, të cilët duhet të shtojnë një pozicion të ri pune për kryerjen e faturave të fiskalizuara.

Për tatimpaguesit e vegjël u kërkua të ketë më shumë trajtime për njohjen e procesit. Zv.dekania e Fakultetit Ekonomik të Tiranës tha se aktualisht është rritur punësimi në platformat online, për këtë arsye, shteti dhe shoqëria janë përballë sfidës së rregullimit të tregut dhe kjo mund të ndihmohet nga fiskalizimi.

Problematikat e fiskalizimit sipas kontabilistëve

1.Koha për realizmin e fazave te procesit të fiskalizimit ishte shumë e shpejtë dhe e pa studiuar mirë.

2.Libri i blerjeve dhe shitjeve në portalin Self Care, nuk është i strukturuar dhe formatuar në përputhje me ligjin e TVSH-së.

3.Kartat e debitit dhe kreditit konsiderohen mënyrë e ndryshme pagese nga ajo që parashikon ligji i TVSH-së.

4.Për faturat korrigjuese nuk lejohet rishpërndarja e TVSH-së.

5.Platforma nuk mundëson lëshimin e faturave për individë dhe jorezidentë, për subjektet që plotësojnë kushtet për përdorimin e saj.

6.Problemet e rrumbullakimeve në fiskalizimin e deklaratave doganore si dhe ndërprerja e sistemit ne rastin e Importeve me shumë artikuj.

7.SelfCare nuk mundëson lëshimin e Credit Note për fatura të lëshuara , përpara fillimit të procesit të fiskalizimit.

8.Diferenca midis kursit të këmbimit në rastin e eksporteve midis kursit që duhet të përdoret në Self Care dhe kursit që përdor Dogana.

9.Platforma aktualisht lejon që faturës t’i jepet status edhe pas datës 10 të muajit pasardhës.

10.Faturat e refuzuara shfaqen perseri në libra dhe në pasqyrën mujore.

11.Në platformë ka fatura që shfaqen në pasqyrën mujore, por jo tek transaksionet dhe anasjelltas.

12.Dublikimi i vazhdueshëm i faturave të shitjes, por edhe të blerjeve.

13.Proces shumë i gjatë dhe me hapa të panevojshëm për shkarkimin e faturës.

14.Platforma është e ngadaltë dhe me shumë bllokime të vazhdueshme.

15.Në portal shfaqen fatura me të njëjtën NSLF, por me NIVF të ndryshme.

16.Në portal ka fatura blerje dhe shitje që nuk reflektohen në kohë reale.

17.Mesazhi kur fatura ka gabime aktualisht shfaqet në anglisht dhe shumë komplikuar dhe tatimpaguesit nuk arrijnë të kuptojnë se ku qëndron problemi.

18.Tatimpaguesit e vegjël dhe ata të zonave rurale nuk kanë infrastrukturën e duhur për të realizuar me sukses procesin e fiskalizimit.

19.Kompanitë software-ike nuk ofrojne zgjidhje teknike për kërkesat ligjore të fiskalizimit.

20.Vetëfaturimet (pra rasti i “faturave lëshuar nga blerësi”) në disa software ndodh që të shfaqen edhe në libër blerje edhe në libër shitje.

21.Autongarkesat ka raste kur shfaqet në blerje me vlerë 0, ndërsa në shitje me vlerë, pra shfaqet vetëm si faturë shitjeje.

22.Nuk është i mundur modifikimi i faturës së fiskalizuar nga operator të ndryshëm nga ai që e ka lëshuar faturën origjinale.

23.Nuk është pëprcaktuar në legjislacionin e fiskalizmit dhe nuk është parashikuar as në SelfCare procedura dhe mënyra se si duhet të deklarohen nga ana e tatimpaguesit pagesat e faturave jo nëpërmjet bankës.

24.Sistemi SelfCare nuk parashikon që të përdoret njëkohësisht nga disa usera dhe as përcaktimin e të drejtave të tyre. Po ashtu sistemi SC nuk ka garanci në lidhje me ruajtjen dhe mospublikimin e të dhënave të biznesit.

Rekomandime

Konkluzioni përfundimtar i workshop-it ishte që procesi i fiskalizmit nuk mund të realizohet plotësisht as në vitin 2022 dhe që për këtë arsye shtyrja e penaliteteve për këtë proces eshtë e domosdoshme, pasi procesi i regjistrimit të tatimpaguesve nuk është përfunduar dhe nuk mund të përfundohet brenda vitit 2021, si dhe problemet që ka platforma qendrore e faturave, dhe që ju shkakton vështirësi dhe moszbatim korrekt të deklarimeve në platformë tatimpaguesve, janë ende të pazgjidhura dhe nuk varen prej tyre, por prej zgjidhjes që duhet të bëjë DPT dhe MFE.

U rekomandua që DPT dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në mënyrë që të mos merret një vendim jo i saktë, i nxituar dhe i parealizueshëm, të marrin në konsideratë çështjet dhe problemet e ngritura në këtë aktivitet nga palët e interesuara si dhe problemet të tjera që mund të jenë evidentuar nga Administrata Tatimore, ti vlerësojnë se cila strukturë e AT do të duhet t’i zgjidhë ato, si dhe kohën e mundshme të zgjidhjes së tyre dhe pastaj të marrin vendimin e duhur për sa kohe të bëjnë shtyrjen e vendosjes së penaliteteve për në vitin 2022 si për biznesin e madh ashtu dhe për biznesin e vogël.

Nga qeveria, të kërkohet vendosja e një date limit për aplikimin e tatimpaguesve për regjistrim në AKSHI për t’u pajisur me certifikate elektronike, përtej të cilit të vendosen dhe penalitete me qëllim që të mos mundësohet shtyrja e pafund e zbatimit të këtij procesi.

Kontabilistët kërkuan të shtyhet zbatimi i fiskalizmit të disa proceseve të veçanta (fiskalizimi në import apo fiskalizimi i pagesave) të cilat mund të aplikohen në një kohë më vonë, pasi proceset thelbësore të jenë zbatuar. Kjo do t’i jepte kohën e mjaftueshme si administratës tatimore ashtu dhe tatimpaguesve që të ambientoheshin me këtë proces dhe të përgatiteshin për implementimin e tij të plotë. Nga ana tjetër, proceset thelbësore do të vijonin te përmirësonin dhe mbledhjen e tatimeve sipas planit të parashikuar.

Për zgjidhjen e problemit të fiskalizmit të deklaratave doganore u rekomandua që të punohet sa më shpejt nga administrata tatimore që fiskalizmit të bëhet nga vetë administrata e doganave apo agjentët doganorë, dhe tatimpaguesit ti paraqitet në sistemin SelfCare në librat e tij automatikisht fatura e importit dhe deklarimi doganor i fiskalizuar, dhe ai vetëm të bëjë kontrollet përkatëse njëlloj si çdo faturë blerje tjetër. Për këtë sigurisht duhet të zhvillohet programi softwerik që të ndërlidhë të dy sistemet atë të Asycuda dhe Self Care.

Krijimin e një seksioni të veçantë në HelpDesk ku të publikohen pyetjet dhe përgjigjet e deritanishme, apo dhe një përmbledhje e problemeve të identifikuara dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre.Sqarimet e dhëna nga administrata tatimore duhet të jenë të aksesueshme nga të gjithë tatimpaguesit.

Kjo do të thjeshtonte punën si të kontabilistëve ashtu dhe të administratës tatimore. Do të evitoheshin përgjigje të veçanta për tatimpagues të veçantë apo dhe dhënien e përgjigjeve të ndryshme për të njëjtin problem. Të forcohen kriteret e licensimit të kompanive të cilat ofrojne zgjidhjen software-ike dhe të jenë përgjegjëse për penalitet e tatimpaguesve, që lidhen me problematika të shkaktuara nga software.

Ekspertët, ndër të tjera, kërkuan që të realizohen ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që ligji i fiskalizimit të jetë konform me ligjin e TVSH-së, ligjit të Procedurave tatimore dhe që sistemi të aksesohet njëkohësisht nga përdorues të ndryshëm në nivele të ndryshme përgjegjësie dhe të punohet për sigurinë e konfidencialitetit të të dhënave sipas normave adekuate të sigurisë.

Efektet e një procesi gjysmak

Faza I e fiskalizimit nisi zbatimin më 1 janar 2021 për transaksionet pa para në dorë mes sipërmarrjeve dhe enteve publike. Faza II, që nisi më 1 korrik, përfshiu në procesin e ri të faturimit, transaksionin pa para në dorë mes bizneseve.

Në këtë fazë u hasën probleme me bllokimin e portalit SelfCare për shkak të mbingarkesës. Në fazën përfundimtare, që konsiderohet dhe më delikatja, u përfshinë 90,000 biznese të vogla për shitjet me para në dorë. Deri në fund të vitit u realizua gjysma e procesit. Sokol Toska, auditues ligjor, thotë se efektet e procesit të paplotë janë informalitet që perceptohet i shtuar, mjedis me rrezik më të lartë, pasiguri dhe deformim i tregut dhe mjedisit konkurrues.

“Zbatimi i një ligji në nivel 50% në çdo rast është një tregues shqetësues në disa pikëpamje. Së pari, tregon nivelin e lartë të pasigurisë juridike në autoritetin ku vërehet ky fenomen. Është e qartë se në momentin kur gjysma e operatorëve nuk zbatojnë parashikimet ligjore, atëherë të gjithë operatorët do të jenë në një situatë ku, ose do të zbatojnë ligjet dhe, në këtë rast gjenden në disfavor konkurrues përballë atyre që nuk e zbatojnë, ose nuk do t’i zbatojnë dhe në këtë rast do të gjenden të kërcënuar nga rreziku i penalizimit nga autoriteti.

Së dyti, kjo situatë shthur disiplinën fiskale të subjekteve tatimpagues. Operatorët janë të prirur të zbatojnë zgjidhje të cilat rrisin fitimin dhe në momentin që shohin mundësinë për të shmangur një barrë të shtuar do të përshtasin këtë sjellje.

Së treti, kjo situatë dëmton disiplinën dhe moralin e funksionarëve të autoritetit ligjzbatues, në këtë rast autoriteti tatimor. Rrjedhimisht, edhe qasja e funksionarëve do të jetë e dobët dhe me gjasë do të krijojë rrethana për abuzime, ryshfet dhe arbitraritet. Sigurisht, në afatgjatë operatorët do të konfirmojnë dhe ligji do të gjejë zbatim të plotë, por rrethanat aktuale kanë shkaktuar dëme kolaterale në këtë mjedis që edhe pa këtë problematikë, ishte i brishtë”.

Si po ndërveprojnë bizneset

Deri në mesin e dhjetorit, 25% bizneseve nuk janë pajisur me certifikatë elektronike. Ndërveprimi me bizneset që nuk janë të pajisur me certifikatë elektronike është i pamundur, sipas kontabilistit Sotiraq Dhamo, pasi nuk njihet TVSH-ja e zbritshme.

Udhëzimi i DPT-së, i miratuar në muajin shtator, përcaktonte se faturat e pafiskalizuara të lëshuara nga tatimpaguesit pas 1 shtatorit 2021, nuk do të njihen si të vlefshme nëse tatimpaguesi, që ka detyrim të zbatojë ligjin, nuk ka kryer aplikimin për certifikatë elektronike, e cila merret tek AKSHI, duke aplikuar përmes kredencialeve nga e-Albania, apo nuk ka lidhur një kontratë me një shoqëri të certifikuar për blerjen e zgjidhjes software të fiskalizimit që do të përdorë. Edhe pas datës 1 janar 2022, sipas kontabilistit, për ndërveprimin e bizneseve do të vazhdojë të jetë në fuqi udhëzimi, pasi nuk ka zgjidhje tjetër në situatën kur 50% e bizneseve janë fiskalizuar.

Kontabilistët, kundër shtyrjes vetëm për biznesin e vogël

Marrja e vendimit për shtyrje të periudhës pa gjoba, vetëm për biznesin e vogël do të penalizojë sipërmarrjet e mëdha sipas kontabilistit Sotiraq Dhamo. Miratimi i këtij vendimi konsiderohet i padrejtë, pasi bizneset e mëdha do të penalizohen për problematika teknike të fiskalizimit të pazgjidhuara nga administrata tatimore.

“Për zbatimin e plotë të procesit të fiskalizimit ka ende shumë problematika që nuk janë zgjidhur. Kjo barrë nuk mund t’i lihet biznesit të madh, pasi zgjidhja e problemeve nuk varet prej tyre që ata të penalizohen. Shqetësuese për biznesin e madh nuk është mosregjistrimi për fiskalizimin, pasi shumica e biznesit të madh është fiskalizuar, por mosfunksionimi i sistemit, rritja e numrit të faturave të dubluara dhe 25% e biznesit të papajisur me certifikatë elektronike. Bizneset në zonat rurale nuk arrijnë të aksesojnë internetin. Mendoj se kjo kategori nuk duhet të përfshihet në faturimin e ri, po të vijojë aktivitetin me sistemin e vjetër”.

Qasja e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe administratës tatimore në këtë periudhë, sipas Dhamos, duhet të jetë vetëm për zgjidhjen e problematikave dhe vështirësive që po hasin sipërmarrjet për zbatimin e fiskalizimit. “Për të funksionuar procesi duhet të zgjidhen problemet teknike dhe ligjore. Nga institucionet shtetërore, fillimisht duhet të përcaktohet se sa kohë nevojitet për zgjidhjen e problematikave të paraqitura nga kontabilistët. Më pas, të merret vendimi për shtyrjen e periudhës pa gjoba.

Nga përvoja mendoj se duhet të paktën 6 muaj që këto probleme të zgjidhen. Ne mbështesim shtyrjen e procesit, por gjithmonë duke vendosur afate për përfundimin e aplikimit për pajisjen me certifikatë elektronike. 30,000 biznese nuk janë të pajisur me certifikatë elektronike. Nga 1 janari 2022 fillojnë aplikimet për përditësimin e certifikatës për biznesin e madh. Procesi pritet të vështirësohet më shumë”, nënvizon z. Dhamo.

Edhe kompanitë e kasave kërkuan shtyrje të periudhës pa penalitete deri më 2022

Drejtori i përgjithshëm i A.E. Distribution sh.p.k., z. Bledar Balla, e konsideron kompleks procesin, për këtë arsye shtyrja e periudhës pa panalitete deri më 2022 do të ndihmonte në përfundimin e plotë të tij. Shtyrja e periudhës pa penalitete vetëm për biznesin e vogël vlerësohet masë nxitëse për formalizimin e tyre, sipas audituesit ligjor, Sokol Toska. Sipas tij, shtyrja e procesit është zgjidhja më e arsyeshme në këto rrethana.

“Me këtë zgjidhje, shmanget pozita joformale e operatorëve që nuk janë regjistruar, shmanget mundësia e arbitraritetit nga autoriteti fiskal dhe rrjedhimisht, ul nivelin e pasigurisë në treg. Zbatimi i projektit, sipas kategorive të ndryshme të operatorëve në afate të ndryshme, është një qasje që u zbatua prej fillimit nga ligjvënësi. Diferencimi në këtë rast duket se ka të bëjë me kapacitetet e operatorëve për të implementuar projektin.

Gjykimi, nëse ka drejtësi, ka të bëjë me shumë aspekte të rregullimit fiskal, ku përfshihet përgjegjësia tatimore, niveli i taksimit, ngarkesa administrative dhe procedurale, etj. Drejtësia do të varet edhe nga politikat zhvillimore që zbaton qeveria. Në këtë kuptim, ulja e barrës administrative, siç do të ishte përjashtimi nga fiskalizimi, për fashën e bizneseve të vogla, përtej padrejtësisë fiskale, mund të jetë një nxitje për rritje të kësaj kategorie operatorësh”.

Si po zbatohet fiskalizmi në shtetet e tjera?

Në Europë, sistemin më të avancuar për fiskalizimin po e zbaton Italia. Nga prezantimi që u paraqit nga Departamenti i Kontabilitetit i Fakultetit Ekonomik, në takimin e zhvilluar më 17 dhjetor për krahasimin e përvojës me vendet e tjera, u tha se sistemi i fiskalizimit në Itali ka nisur të aplikohet në 2019-n. Kroacia renditet ndër shtetet e para në BE-së për rekordin e faturave elektronike të lëshuara, me rreth 13 mld fatura, për 6 vjet.

Në këtë shtet zbatohet një proces përzgjedhës në memorizimin e kuponëve. Në Serbi, procesi nisi zbatimi nga janari 2021 dhe shteti subvencionoi 100 euro bizneset pa TVSh, për përditësimin e pajisjeve. Në Malin e Zi, zbatimi i procesit u mbështet nga Banka Botërore. Në këtë shtet, është e detyrueshme mbajtja e kopjes së printuar, ndryshe nga sa zbatohej në Kroaci, ku memorizimi ishte përzgjedhës./Monitor


Shtuar 2.01.2022 08:31