Beteja e Princ Harry për t’iu kthyer siguria personale, si anëtar i familjes mbretërore në Britaninë e Madhe vijon në Gjykatën e Apelit.
Princ Harry argumenton se ndryshimi i kushteve të mbrojtjes pas largimit të tij nga detyrat mbretërore është tërësisht i pajustifikuar.
Vitin e kaluar, Gjykata e Lartë në Londër vendosi se vendimi I qeverisë britanike ishte i ligjshëm, por Gjykata e Apelit ra dakord të dëgjonte çështjen pas një aplikimi të drejtpërdrejtë nga avokatët e Harry-t.
Gjatë seancës gjyqësore të martën në Londër, avokati i tij tha se trajtimi i Princit ishte i ndryshëm dhe inferior në krahasim me individët e tjerë që përfitonin nga shërbime të ngjashme sigurie, duke theksuar se ai nuk kërkonte të merrte të njëjtën mbrojtje që kishte kur ishte anëtar i familjes mbretërore.
Avokatët e Princit Harry theksuan se ai dhe bashkëshortja e tij, Meghan, kishin qenë të ekspozuar ndaj kërcënimeve serioze, përfshirë thirrje nga Al Kaeda për ta vrarë. Për më tepër, ata i dhanë gjykatës prova për një incident të vitit 2023, kur çifti ishte ndjekur nga paparacët në Nju Jork, duke i dhënë më shumë forcë kërkesës për një nivel të lartë mbrojtjeje.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e qeverisë mbrojtën vendimin duke theksuar se, megjithëse siguria personale nuk ishte hequr plotësisht, ajo ishte reduktuar për shkak të ndryshimit të statusit të Dukës dhe largimit të tij nga detyrat mbretërore. Ata gjithashtu argumentuan se nivelin e ofruar të sigurisë ishte të mjaftueshëm për nevojat e tij aktuale.
Ky proces gjyqësor është pjesë e një sërë veprimesh ligjore që Princi Harry ka ndërmarrë gjatë viteve të fundit, duke përfshirë aksione kundër gazetave për shkelje të privatësisë. Kjo çështje mund të ketë një ndikim të madh në marrëdhëniet e tij me qeverinë dhe mbretërore.