CEO i TikTok: Aplikacioni nuk i ka ndarë kurrë të dhënat e përdoruesve amerikanë me Kinën

Shefi ekzekutiv i TikTok, Shou Chew, do të flasë para Komitetit të Energjisë dhe Tregtisë të Dhomës së Përfaqësuesve të enjten.

Sipas Reuters, atje ai do të argumentojë se aplikacioni, me 150 milionë qytetarë amerikanë që janë abonentë, nuk ka ndarë kurrë të dhënat e përdoruesve të SHBA me qeverinë kineze.

“TikTok kurrë nuk ka ndarë dhe as nuk ka marrë një kërkesë për të ndarë të dhënat e SHBA nga qeveria kineze,” do të thotë CEO i TikTok.

“As nuk do ta bëjmë, edhe nëse na kërkohet.”, shtoi ai.

Gjithashtu ai tha se kompania mëmë e TikTok, ByteDance, nuk zotërohet apo kontrollohet nga asnjë ent qeveritar apo shtetëror.

“Më lejoni ta deklaroj këtë kategorikisht: ByteDance nuk është agjent i Kinës apo i ndonjë vendi tjetër”, do t’i thotë komitetit, Shou Chew.

TikTok tha të hënën se më shumë se 150 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara përdorin aplikacionin popullor në baza mujore.

“Ndërsa përdoruesit e TikTok në Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë 10% të komunitetit tonë global, zëri i tyre përbën 25% të shikimeve totale në mbarë botën,” vuri në dukje Chew.

Britania, Shtetet e Bashkuara, Danimarka, Holanda, Belgjika dhe Kanadaja kanë lëshuar së fundmi urdhra për ndalimin e përdorimit të TikTok.

Ekspertët kanë frikë se informacionet delikate mund të ekspozohen gjatë shkarkimit të aplikacionit, veçanërisht në pajisjet qeveritare./albeu.com