Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike ka njoftuar se Ukraina i ka thënë që forcat ruse janë duke bombarduar hyrjen e qytetit Sllavutiç.
Ky qytet, me rreth 25,000 banorë, është vendi ku jeton një pjesë e madhe e punëtorëve të centralit bërthamor Çernobil.
Çernobili, vendi ku ka ndodhur aksidenti më i rëndë bërthamor më 1986, është nën kontrollin e forcave ruse tash e një muaj.
Ukraina i ka thënë Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike se bombardimet janë duke rrezikuar shtëpitë dhe familjet e stafit që punon në Çernobil dhe është duke pamundësuar ndërrimin e punëtorëve.
Rafael Grossi, shef i kësaj Agjencie ka thënë se është i shqetësuar nga këto zhvillime, për të cilat bëhet e ditur vetëm disa ditë pasi stafit i është mundësuar të kthehet në shtëpi, pas gati katër javëve pa u larguar nga vendi i punës.
Ai ka thënë se Agjencia që drejton do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën.