“E di kush i ka emëruar 70% të drejtorëve të policisë nëpër komisariate? Ergys Agasi, dhe unë mbaj përgjegjësi penale për këtë. Edhe drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda”, ishte kjo deklarata e fortë që bëri më 29 dhjetor 2025, gazetarja Klodiana Lala, përballë moderatorit Blendi Fevziu.
Ajo është rikthyer sonte, 4 mars, në studion e “Opinion”, për të folur pikërisht mbi aludimet që qarkullojnë për motivacionin e lirimit nga detyra të Prodës.
Duke e thënë me bindje se kryeministri Edi Rama e kishte vendosur që para protestës së 28 shkurtit për ta hequr nga ai post, paralajmëroi se drejtorët nëpër komisariatet në vend “do largohen një nga një”.
“Furtuna” mbi emrin e tij, nënvizoi se nisi që kur u diskutua një grup i strukturuar kriminal brenda AKSHI-t.
Sipas gazetares, Agasi (aktualisht i shpallur në kërkim) ka qenë ndërmjetës mes kreut të qeverisë dhe Prodës.
“Iu dha grada të pamerituara të gjithë rrethit të tij shoqëror, disa prej të cilëve u janë sekuestruar celularët. Së dyti, ka pasur lidhje okulte. Pas shpalljes në kërkim të Agasit, drejtorë të policisë i kanë prezantuar platformën Ylli Carës, ish-ortak i Prodës, biznesmen. Një personazh që është jo vetëm lidhje e ngushtë për Prodën, por ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë për caktimin e emrave. Drejtori është ndikuar nga ai”, deklaroi Lala për Prodën.
Shtoi se ekziston një “hetim penal pa emër të regjistruar, por që është i ndarë nga dosja e AKSHI-t, për implikim të zyrtarëve policorë në rrëmbimin e Daniel Shimës”…
Sipas Lalës, Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion ia ka sekuestruar celularin Prodës, që kur ai punonte në drejtorinë e Policisë Elbasan.
“Në vitin 2024, në atë kohë u godit një prej organizatave më të rrezikshme kriminale, të drejtuar nga vëllezërit Çopja. Në atë kohë, pati dyshime të forta se ky operacion mund të ishte dekonspiruar. Ky lajm nuk u mësua në momentin e sekuestrimit, por kur Proda garoi për kreun e Policisë së Shtetit. Celulari i tij është këqyrur, ka një hetim të çelur, nuk ka ende një rezultat deri tani. Në atë kohë, drejtor ka qenë Rrumbullaku, që një ditë papritmas u largua”, shpjegoi ajo.
Sa i takon protestës së opozitës, u shpreh se trajektorja që u ndoq atë të shtunë ishte totalisht e paparashikueshme.
“PD-ja nuk dha detaje për mënyrën si do të lëvizte. Gjatë gjithë kohës hidheshin molotovë nëpër kosha plehrash. Në momentin kur gazetarët dhe protestuesit kanë qenë te ura e Drejtorisë, ka filluar të raportohet se mund të kishte një ndalesë te ish-vila e diktatorit. E kemi mësuar diku te 7-8 minuta para.”
Po sipas gazetares, Proda ka qenë për herë të fundit në zyrën e tij mbrëmjen e së dielës, 1 mars.
“Ka pasur një debat me tone të forta me kryeministrin, është komanduar menjëherë Bizhga”, tha Lala.
