Në një konferencë për shtyp mbatjur këtë të shtunë, Kryekomisioneri Ilirian Celibashi, dha një përditësim të detajuar mbi procesin e numërimit të votave të 11 majit, duke u ndalur veçanërisht në problematikat që janë hasur, me theks të veçantë tek vota e diasporës.
Votat e diasporës
Duke iu referuar procesit të votimit nga jashtë, Celibashi sqaroi se deri tani janë numëruar 159,921 vota të vlefshme nga votuesit e diasporës, ndërkohë që janë regjistruar 1,666 vota të pavlefshme ndërsa në total janë 195007 vota. Ai u ndal në faktorët që kanë ndikuar në shpalljen e disa votave si të pavlefshme ndërsa theksoi se një pjesë e madhe e votave të pavlefshme lidhen me mungesën e zarfit B, që është një komponent i domosdoshëm në procesin e votimit, siç parashikohet nga procedurat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në disa raste, ka ndodhur që emigrantët nuk e kanë futur zarfin A në zarfin B, por e kanë dërguar drejtpërdrejt në kutitë postale, përfshirë dërgesat përmes shërbimeve të DHL-së. “Për këto raste, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po mban procesverbale manualisht, dhe të dhënat do të reflektohen në sistemin përkatës,” tha Celibashi. Ai theksoi se ky proces ka krijuar disa vështirësi, por se gjithçka do të pasqyrohet saktë në përfundim të numërimit të përgjithshëm.
Ai sqaroi gjithashtu se procesi i shqyrtimit të zarfeve të ardhura nga Greqia është ende në vazhdim, por beson se ky proces do të përfundojë gjatë ditës së shtunë dhe do të mundësojë më pas numërimin e votave për kandidatët.
Votimi brenda vendit
Duke u ndalur në votimin brenda vendit, Celibashi njoftoi se gjatë procesit të numërimit të fletëve të votimit në rang vendi, ka rezultuar se janë numëruar 109 fletë votimi më shumë sesa numri i qytetarëve që kanë votuar.
“Nga verifikimi i të dhënave, kemi konstatuar se ka pasur një gabim në numërimin e fletëve të votimit. KQZ ka nisur një verifikim të detajuar për të parë nëse ka ndodhur një gabim nga ata që kanë mbyllur procesverbalin në qendrat e votimit, apo mund të ketë pasur gabime nga numëruesit gjatë procesit të hedhjes së të dhënave,” sqaroi ai. Celibashi theksoi se ky ishte një çështje që po shqyrtohej me kujdes për të parandaluar çdo pasaktësi.
Celibashi njoftoi se do të vijojnë verifikimet dhe se gjithçka do të jetë e qartë në fund të procesit të numërimit. Ai gjithashtu kërkoi nga qytetarët dhe aktorët politikë që të kenë durim dhe besim te procesi, duke u siguruar se çdo votë dhe çdo procesverbal do të shqyrtohen me kujdes dhe në përputhje me ligjin.
Në fund, ai theksoi se të gjitha të dhënat, duke përfshirë ato për votat e diasporës dhe votimin brenda vendit, do të reflektohen në sistemin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe se çdo problematikë që është hasur do të trajtohet në përputhje me procedurat e parashikuara.