Berisha: Çdo natë nga kryeministria dalin kamionë për të zhdukur gjurmët e krimeve të Ballukut…

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar se nga kryeministria natën janë parë kamionë, që sipas tij transportojnë dokumente që fshehin gjurmët e krimeve, që siç shprehet ai ka kryer Belinda Balluku.

Jashtë parlamentit, Berisha tha se në Fletoren Zyrtare nuk po publikohet vendimi i pezullimit nga detyra, pasi nuk i intereson Edi Ramës.

Ai akuzoi kryetaren e Gjykatës Kushtetuese si militante të Partisë Socialiste, por paralajmëroi se do të përfundojë tek ata që nuk zbatojnë ligjin.

“Nëse vendimi i parë që i interesonte Edi Ramës u publikua brenda dy orëve, vendimi tjetër mbahet në sirtar dhe nuk publikohet nga kryetarja që është militante e PS në mënyrë që Lubia të ketë kohë për të shkatërruar dokumentet bashkë me Ramën. Kamionët çdo natë dalin nga kryeministria për të zhdukur gjurmët e krimeve. E vonon kryetarja e Gjykatës, një militante e PS, por edhe ajo do përfundojë aty ku e kanë vendin ata që nuk zbatojnë Kushtetutën”, tha Sali Berisha jashte Parlamentit.


Shtuar 12.02.2026 13:02