“Çangu kishte dalë nga banesa për të shkuar te ullishtja e tij”, Lala për vrasjen në Nikël: Duket si vrasje për motive të dobëta

Gazetarja, Klodiana Lala ka folur për vrasjen e cila ndodhi mbrëmjen e djeshme në Nikël. Gjatë një interviste për emisionin ‘Kjo javë’ në News24, Lala tha se para se të ndodhte vrasja Çangu kishte dalë nga banesa për të shkuar te ullishtja e tij.

Lala tha se mbetet për t’u sqaruar dinamika, pasi ajo është një zonë e papopulluar. Në fund, gazetarja tha se kjo ngjarje do të sjellë një konflikt të ashpër mes dy familjeve dhe një krushqi të prishur.

“Pati një ngjarje të rëndë të premten pasdite në Nikël të Fushë-Krujës. Që nga ngjarja e ndodhur te rrethrrotullimi i Rinasit, s’kishim parë një ngjarje tjetër kaq të rëndë. Fillimisht u tha se fëmijët e Artur Çangut ishin konfliktuar me autorin e dyshuar, Eduart Afmatajn. Por u konfirmua se ata nuk kishin pasur asnjë konflikt. Se çfarë ka ndodhur mes tyre, në një zonë ku nuk ka kamera dhe as dëshmitarë, mbetet për t’u sqaruar.

Duket si vrasje për motive të dobëta. Nëse është kështu, është shumë e rëndë. Çangu kishte dalë nga banesa për të shkuar te ullishtja e tij. Ai është vrarë me armë, çifte. Mbetet për t’u sqaruar dinamika, pasi është zonë e papopulluar. Pjesa që dua të ndalem është se jo çdo konflikt zgjidhet me armë, por duhet t’i drejtohen institucionet. Kjo do të sjellë konflikt të ashpër mes dy familjeve, një krushqi të prishur.”, tha ajo.


Shtuar 11.04.2026 17:55