Caktohet data dhe ora e seancës për marrjen në pyetje të Sali Berishës

Ish-kryeministri Sali Berisha, ndaj të cilit është caktuar masa “detyrim paraqitje”, do të merret në pyetje gjatë së martës në orën 14:00.

“Gjykata e Posaçme e Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ne daten 24.10.2023, dite e Marte, ora 14:00, ka caktuar seancen gjyqesore te marrjes ne pyetje te personit nen hetim Sali Berisha, bazuar nenit 248 pika 1 te K.Pr.Penale”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se sot Berisha u pyet nëse ishte  i gatshëm të linte mandatin dhe të përballej si qytetar i thjeshtë  për akuzat që SPAK ka ngritur ndaj tij, ish-kryeministri u shpreh si vijon:

Sali Berisha: Për fat të keq, që nuk jam fajtor e pranon edhe Edi Rama me larot e tij në dacibaon më të gjatë në histori. Nuk kam shkuar në gjykatë, as si fajtor as si i akuzuar penalisht. Në gjykatë jam dërguar si person nën hetim. Përsa i përket hetimit, unë ua kam thënë kush e di sa herë, unë jam, kam qenë dhe do të jem gjithmonë i hapur.

-Mandatin e deputetit jeni i gatshëm ta lini?

Sali Berisha: Jam i gatshëm të votohet ligjin që kam dërguar në vitin 2012, që të mos ketë asnjë lloj kufizimi për deputetin. Deputeti të konsiderohet me Kushtetutë i barabartë si të gjithë qytetarët e tjerë. Unë këtë ligj e kam dërguar në vitin 2012 në parlament, këtë ligj e kundërshtoi në mënyrë kategorike, Edi Rama dhe u detyrova të heq këtë klauzolë dhe lash hetimin për korrupsionin, mbeti.

Çfarë dallimi ka për ju, fakti që kërkesa për detyrim paraqitje apo heqje e pasaportës, kalon apo nuk kalon nga Kuvendi i Shqipërisë.

Sali Berisha: Çfarë ndryshimi. Ndryshimi është si nata me ditën, unë jam njeri i ligjit nuk pranoj shkelje të ligjit, asgjë. Nëse me sheh këtu sot, pas 32 vitesh në politikë, ky që jam, asnjë sekret tjetër nuk kam, përveç këtij. Kam zbatuar ligjin. Kaq është gjithë puna. Unë nuk mund të shkel kushtetutën, pse banditë kërkojnë që unë të shkel kushtetutën, pse njerëz që nuk kanë asnjë normë ligjore, morale kërkojnë që unë ta shkel. Jo, unë njoh kushtetutën. Dhashë përgjigje cili është qëndrimi për barazinë e plotë totale, të deputetit me qytetarin në kushtetutë dhe jemi në rregull. Ka vende që e kanë, e ka Britania e Madhe. Unë nuk e nxora nga mendja kur e propozova atë ligj.


Shtuar 23.10.2023 17:30