“Ca trimosha erdhën në Kryeministri, nuk dorëzonin ‘patllaken’!”- BKH i përgjigjet Ramës: S’ka pasur përplasje mes hetuesve dhe punonjësve të Gardës!

Byroja Kombëtare e Hetimit ka reaguar pas deklaratës së sotme, 14 dhjetor, të kryeministrit Edi Rama, ku sipas tij, agjentë të BKH kanë hyrë në godinën e Kryeministrisë, duke mos respektuar rregulloren e sigurisë së lartë të Gardës së Republikës dhe janë përpasur me punonjësit e Gardës.

BKH ka hedhur poshtë deklaratën e Ramës, duke sqaruar se hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit.

Më pas, sipas BKH-së, njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve dhe Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.

“Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale”, thotë BKH.

Byroja Kombëtare e Hetimit thekson më tej se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës.

Sipas tyre, tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave më datë 20 nëntor 2025, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, përmes të cilit është vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.

Njoftimi për mediat i BKH-së

Në përgjigje të kërkesave dhe interesit të medias lidhur me deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Byroja Kombëtare e Hetimit sqaron sa më poshtë:

Më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, përmes të cilit është vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku.

Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit.

Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.

Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.

Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës.

E drejta e hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit mbështet tek ligji nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, ku neni 31, pika 3, parashikon shprehimisht se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë ata të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pajisen me armë zjarri sipas legjislacionit në fuqi për përdorimin e tyre.


Shtuar 14.12.2025 16:13

Tags: ,