Buxheti arkëtoi vitin e kaluar 264 mln euro për shumë/ Jorida Tabaku: Qeveria rriti taksat për shqiptarët, por a marrin më shumë shërbime?

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur pyetjen në lidhje me shërbimet që marrin shqiptarët ndonëse paguajnë taksa më të larta.

“Buxheti i shtetit vitin e shkuar mblodhi pothuajse 264 mln euro më shumë. Ndërsa viti u mbyll me një sufiçit e shtesë prej 150 mln eurosh”,- shprehet deputetja e PD, njëkohësisht edhe anëtare në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

Por pasi analizon sufiçitin buxhetor që nuk ka shkuar as për shpenzimet infrastrukturore, as për shëndetësi apo arsim.

A po i merrni këto taksa mbrapsht? A po merrni çmime më të ulëta? A keni më shumë shërbime? Pensione më të larta?

Shëndetësi falas? Më shumë rrugë?- pyet Tabaku ndërsa argumenton se ndryshe nga sa pritej për kaq shumë taksa që merren nga dyqanet, fshatarët në tezga e deri tek xhepat e qytetarëve nga supermarketet me taksa të larta, ato shkojnë në xhepat e pronarëve të koncesioneve dhe PPP-ve.

Kjo ka ndikuar në shtrenjtimin e jetesës prej taksave që nuk kanë prodhuar më shumë shërbime për qytetarët të cilëve i janë marrë më shumë taksa por nuk i janë dhënë më shumë shërbime, shprehet Tabaku.

Reagimi i plotë:

Është fakt tashmë që çdo shqiptar paguan më shumë taksa, tarifa lokale, paguan më shumë për shërbime dhe veçanërisht shtresa e mesme ka pasur një rritje të jashtëzakonshme taksash. Buxheti i shtetit vitin e shkuar mblodhi pothuajse 264 mln euro më shumë.

Ndërsa viti u mbyll me një sufiçit e shtesë prej 150 mln eurosh. Po çfarë po ndodh me buxhetin e shtetit? A po i merrni këto taksa mbrapsht? A po merrni çmime më të ulëta?

A keni më shumë shërbime? Pensione më të larta? Shëndetësi falas? Më shumë rrugë? Ndërsa flasim 11% janë shpenzimet e fondeve për investime publike.

Projekte të shtrimit të rrugëve, ujësjellës kanalizime, infrastruktura lokale…11%. Po çfarë po ndodh? Është kjo vlerë si rezultat i arrogancës?

I korrupsionit apo i paaftësisë për të shpenzuar para?

Ndërsa ia marrin qytetarëve me çdo formë të mundshme; tek dyqani i lagjes me çmimet e larta, tek fshatari me më shumë taksa, tek supermarketi me taksa të rritura nuk ia kthejnë pas me shërbime.

Edhe fondet që janë mbledhur në buxhetin e shtetit nuk shpenzohen sepse shkojnë për PPP, për koncesionet dhe nuk fokusohen tek projektet reale që mund të jenë në shërbim dhe dobi të turizmit.