Burri polic dhe gruaja mësuese/ Ky është çifti që humbi jetën në aksidentin tragjik në Lezhë

Këta që shihni në foto, janë çifti i bashkëshortëve nga Puka, Petrit dhe Elona Florini, të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik të ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër.

Petriti, 53-vjeç, punonte si efektiv policie, ndërsa bashkëshortja e tij, Elona, 45-vjeçe, punonte si mësuese.

Makina me të cilën udhëtonin ata u përplas me një tjetër automjet që drejtohej nga shtetasi F.L., në të cilin ndodhej edhe një grua me dy fëmijët e saj të mitur, 6 dhe 2-vjeç, të cilët kanë mbetur të plagosur.

Për nxjerrjen e viktimave nga automjeti ishte e nevojshme ndërhyrja e ekipit të zjarrfikëses, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Njoftimi i Policisë:

“Rreth orës 08:00, në aksin rrugor Lezhë–Mabë, në vendin e quajtur Gocaj, janë përfshirë në një aksident rrugor dy automjete: automjeti me drejtues shtetasin F.L. dhe automjeti me drejtues shtetasin P.F.

Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën shtetasi P.F., rreth 53-vjeç, si dhe pasagjerja në këtë mjet, shtetasja E.F., rreth 45-vjeç, bashkëshortë.

Gjithashtu, janë dëmtuar tre pasagjerë që ndodheshin në automjetin me drejtues shtetasin F.L., konkretisht bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur, 6 dhe 2 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti”, njofton policia.

 


Shtuar 2.01.2026 11:54