“Burgu lundrues” që do të presë edhe shqiptarët, simbol i politikës së dështuar të migracionit në Britaninë e Madhe

Nga Philip Johnston “Daily Telegraph

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Çfarë është gjithë kjo histeri kundër akomodimit të azilantëve në një anije të posaçme? “Bibby Stockholm”, një mjet lundrues i përshtatur si një kamp apo hotel, të cilin qeveria aktuale po përdor për të strehuar azilkërkuesit, është shndërruar në emblemën e një politike të dështuar, por edhe në fokusin kryesor të aktivistëve që synojnë të bllokojnë përpjekjet e Britanisë së Madhe për të kontrolluar migracionin ilegal.

Ne kemi qenë edhe më herët në këtë situatë. Në vitin 1997, Zyra e Brendshme e drejtuar atë kohë nga konservatorët, urdhëroi një hotel-lundrues që të akomodonte të burgosurit për shkak të presioneve të rënda mbi sistemin penitenciar.

Ajo u quajt “Bibby Resolution”, një anije simotër e “Bibby Stockholm” që po shkakton aktualisht një tronditje të madhe dhe që u ankorua gjithashtu në Portland në Dorset, ku u riemërua si “HMP Weare”. Edhe në atë kohë pati kundërshtime nga aktivistët e të drejtave të të burgosurve, të cilët e krahasuan anijen në fjalë me kafazet e ankoruara në Medway gjatë Luftërave Napoleonike.

Banorët vendas protestuan, siç po bëjnë edhe ot. Edhe laburistët u ankuan për atë lëvizje.

Por meqë ata ishin në prag të marrjes së pushtetit, ministrat në hije ishin të vetëdijshëm se problemi i mbipopullimit të burgjeve do të ishte shumë shpejt një sfidë e madhe edhe për ta, siç do të ndodhë sërish nëse e fitojnë pushtetin pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Për këtë arsye, laburistët sot nuk janë të përgatitur të thonë se anijet-hotel apo kampet nuk duhet të përdoren për të strehuar të ardhurit ilegalisht nëpërmjet varkave të vogla. Laburistët e mbajtën burgun-lundrues deri në vitin 2006, kur anija e përshtatur iu shit Nigerisë.

Në atë kohë, popullata e të burgosurve ishte rritur nga më pak se 60.000 kur partia mori pushtetin nën drejtimin e Tony Blair, në mbi 80.000. Debati më i fundit rreth një kampi-lundrues në Portland, është disi i ndryshëm në aspektin që banorët atje nuk janë të burgosur.

Edhe pse do të ishte e vështirë që ta mësoni këtë gjë, gjykuar nga disa prej hiperbolave që ka nxitur kjo çështje, jo vetëm këtu, por edhe jashtë Britanisë. Nën titullin “Azilkërkuesit hipin në kampin-lundrues që mund të jetë një “kurth vdekjeprurës për ta”, CNN raportoi se “ekspertët e shëndetit publik paralajmëruan mbi rrezikun e mundshëm të infeksioneve për shkak të kushteve të jetesës atje, të cilat aktivistët i cilësuan si çnjerëzore”.

Duke pasur parasysh këto deklarata, nuk është e çuditshme pse disa azilkërkues po i rezistojnë zhvendosjes në këto ambiente. E megjithatë, kjo qasje është përdorur në të kaluarën për të strehuar punëtorët e ndërtimit, por edhe në ishujt Falklands si një kazermë ushtarake lundruese.

Është e qartë se kampi-lundrues nuk është Hoteli Ritz, por as përgjigja e Dorset për Marshalsea. Në fakt, emigrantët po zhvendosen nga hotelet, ku mijëra prej tyre janë vendosur prej javësh, ndërsa ministrat e patën shumë të vështirë të përballonin fluksin.

Siç u shpreh Ministri i Drejtësisë, Alex Chalk, emigrantët nuk mund të zgjedhin midis qëndrimit në hotele me 4 yje dhe një kampi-lundrues. Problemi me të cilin përballet qeveria është se politika e saj nuk po funksionon.

Ajo parashikohet ta bëjë të paligjshme mbërritjen në këtë vend përveç rrugëve të ligjshme, dhe më pas deportimin e emigrantëve në Ruanda. Deri më tani, nuk janë zbatuar kompetencat mbi paraburgimin në Aktin e Migracionit të Paligjshëm aq shumë të diskutuar. Në rastin e idesë së dërgimit të emigrantëve në Ruandë për të përpunuar kërkesat për azil, dhe më pas rivendosjen në Britani të atyre që kanë arsyet më të forta, kjo mund të ishte e realizueshme. Por nuk është ky plani.

Propozimi është që ata të dërgohen në Ruandë, dhe më pas të vendosen atje ose të rikthehen në vendin e tyre. Kjo është një shkelje e Konventës së Refugjatëve të vitit 1951, e cila përmban parimin e mos-kthimit, që përbën një pengesë absolute për riatdhesimin e një refugjati në një vend ku ata mund të përballen me persekutim.

Për këtë arsye qeveria do ta humbasë pothuajse me siguri çështjen në Gjykatën e Lartë, kur të apelojë kundër vendimit të muajit të kaluar të një gjykate, sipas së cilës dërgimi i azilkërkuesve në Ruandë është i paligjshëm pikërisht për këto arsye.

Gjykata vendosi se ekzistonte një rrezik real për njerëzit që rikthehen në vendet e tyre të origjinës, ku përballen me persekutim ose trajtim tjetër çnjerëzor, sidomos në rastet kur ata paraqisnin arsye të forta në kërkesën e tyre për azil.

Argumentimi se shumë prej tyre janë në realitet emigrantë ekonomikë, të cilët nuk po ikin për të shpëtuar jetën e tyre, nuk do të funksionojë. Shumë prej tyre i disponojnë dokumentet e tyre dhe shpikin histori (me ndihmën e disa avokatëve të paskrupullt, që tani janë në shënjestër të qeverisë) duke pretenduar se janë në rrezik nëse kthehen në vendet e tyre.

Ndonjëherë nuk është e qartë se nga kanë ardhur, dhe nëse po, se përse vendet e tyre refuzojnë që t’i marrin mbrapsht. Edhe nëse transferimet në Ruandë konsiderohen të ligjshme, ato do të prekin vetëm një pjesë të vogël të mbërritjeve, megjithëse mund të ndikojnë shumë duke qenë si një pengesë dhe ta reduktojnë trafikun e paligjshëm siç edhe synohet.

Megjithatë, politika duket të jetë në kolaps të plotë, ndaj cila është alternativa ndaj ndalimit të varkave dhe strehimin e emigrantëve? Adresimi i numrit të rasteve të mbetura të azilit do të ndihmonte, por ato numërojnë më shumë se 100.000 njerëz, kështu që do të duhej shumë kohë.

Zyra e Brendshme duket se po i heq njerëzit nga lista për shkak të mosplotësimit të disa kushteve. Por kjo nuk ndihmon në zgjidhjen e çështjes së ku duhet të sistemohen ata. Nëse nuk munden të kërkojnë statusin e refugjatit, ata nuk mund të punojnë asnjëherë, të paktën jo ligjërisht, dhe nëse nuk dëbohen, do të bëhen barrë për shtetin britanik.

Kushtet e motit i kanë bërë më të vështira kalimet e paligjshme, me vetëm 350 të ardhur që nga fillimi i këtij muaji. Pati gati 2.000 të tillë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duke bërë banjo dielli në Kaliforni, Rishi Sunak, duhet të lutet që të vazhdojë vera e papërshtatshme dhe plot stuhi e Anglisë.

Por nëse jo Ruanda, atëherë ku? Dikush në Whitehall ka hedhur idenë e ishullin Ascension.

Si një territor britanik, ai ka më pak gjasa të kontestohet nga gjykatat, me kushtin që kërkesat për azil të trajtohen siç duhet, dhe që refugjatët që kanë arsye të forta të vendosen sërish në Britaninë e Madhe.

Ata që dështuan të marrin azil mund të dëbohen, edhe pse sërish nuk është gjithmonë e qartë se nga kanë ardhur. Po ashtu do të ishte jashtëzakonisht e kushtueshme dhe do të kërkonte kohë vendosja e një regjimi të përpunimit të kërkesave dhe rasteve, edhe pse ekziston tashmë një bazë e përbashkët e forcave ajrore britanike dhe amerikane.

Ndërkohë ka ishuj kryesisht të pabanuar shumë më afër Britanisë që mund të përdoren, megjithëse njerëzit e mirë të Lundy (me vetëm 28 banorë) apo Eigg (110 banorë) mund të kundërshtojnë. Për shumë vite, Australia i përpunoi kërkesat ndaj për azil në ishullin Nauru, dhe arriti të reduktojë me sukses hyrjet e e paligjshëm në vend.

Ajo është, ashtu si Britania e Madhe, palë e Konventës së Refugjatëve të vitit 1951. Nëse këtë gjë mund ta bëjë Australia, atëherë pse nuk mundemi edhe ne? /albeu.com


Shtuar 10.08.2023 13:42

Tags: