Në Shkup nuk ka gatishmëri për ndryshime, vlerëson bashkëkryetari i Komisionit të Përzier të Historisë nga pala bullgare, Angell Dimitrov. Sipas tij, në takimin e fundit nga java e kaluar në vend nuk ka ndodhur më asgjë. Në takim u bisedua për institucionet kishtare mesjetare dhe për nderimin eventual të përbashkët të Goce Dellçevit.
“Nuk ka pasur tensione të veçanta në bisedat mes nesh, por kam vënë re shumë mirë shqetësimin te disa kolegë. Disa prej tyre thanë hapur se janë nënshtruar kërcënimeve dhe presioneve nëse ndryshojnë diçka në qëndrimet e tyre. Sigurisht, kjo do të thotë se ata janë të gatshëm ta bëjnë këtë, por flas për atmosferën në shoqëri”, tha Angel Dimitrov – historian bullgar.
Bashkëkryetari i komisionit nga Maqedonia e Veriut, Dragi Georgiev, për disa nga media vendase tha se nuk do të komentojë, siç tha ai, deklaratat e tilla politike të Dimitrovit. Së fundi, historianët tanë ishin cak i kritikave të ashpra në opinionin tonë në gusht, pas publikimit të rekomandimeve të harmonizuara për nderimin e përbashkët të pesë figurave historike, dhe për ndryshime në tekstet shkollore që i referohen periudhës antike. Dimitrov thotë se Maqedonia duhet t’i zbatojë rekomandimet dhe t’i qaset ndryshimeve serioze në tekstet shkollore.
“Ajo duhet të ndodhë menjëherë. Sepse ka dy variante. Një tekst shkollor nuk ndryshon nga sot për nesër, por tekstet mund të plotësohen, pa i ribotuar. Ka mundësi të tilla teknike”, u shpreh Angel Dimitrov – historian bullgar.
Autoritetet së fundmi informuan se rekomandimet e historianëve janë miratuar në një seancë të qeverisë dhe procesi vazhdon në Ministrinë e Arsimit dhe Byronë për Zhvillimin e Arsimit. Sipas sqarimit, fjalën e fundit do ta kenë ende autorët e tekstit konkret./Alsat.mk