Kalimi në bulevardin qendror të Tiranës dhe pranë institucioneve të shtetit që ndodhen përgjatë tij, do të jetë i ndaluar për më shumë se 24 orë, qoftë për këmbësorët ashtu edhe për drejtuesit e mjeteve.
Këhstu ka bërë me dije Policia e Tiranës, teksa njofton planin e masave në kuadër të zhvillimit të Konferencës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, më datat 8–10 tetor 2025, në Pallatin e Kongreseve.
Autoritetet kanë hartuar një plan të posaçëm masash, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së këtij aktiviteti, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë tij. Konkretisht, në funksion të përmbushjes së këtyre qëllimeve, janë ndërmarrë këto masa:
– Kufizimi i lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga semafori pranë Presidencës deri te sheshi “Nënë Tereza” (përfshirë sheshin), rrugën “Gjergj Filipi”, si dhe në aksin që lidh hotel “Marriott” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”;
– Për këmbësorët do të jetë i bllokuar gjatë gjithë periudhës së zhvillimit të konferencës, trotuari nga hyrja e hotel “Rogner” deri te Pallati i Kongreseve.
Kufizimet do të jenë në fuqi nga ora 07:00 e datës 9 tetor 2025, deri në orën 15:00 të datës 10 tetor 2025.
Policia e Tiranës iu bën thirrje qytetarëve, për mirëkuptim dhe bashkëpunim. Gjithashtu, ftohen të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e kufizuara, si dhe të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë në terren.
Për çdo rast nevojë për ndihmë ose orientim, drejtojuni punonjësve të Policisë ose telefononi në numrin pa pagesë 112.