Bukurie Mata mes lotësh: Ende festoj ditëlindjen e Bleones në shtëpi

Nëna e Bleona Matës ka bërë një rrëfim të dhimbshëm dhe tronditës diten e sotme ne ‘Ftese ne 5’, duke treguar se prej vitesh jeton me një makth të pandërprerë, mes shpresës dhe dhimbjes për vajzën e saj të zhdukur. Ajo shprehet se jeta e familjes është ndalur dhe se asnjë festë, asnjë moment gëzimi nuk ka më kuptim pa praninë e Bleonës.

“Jetojmë me këtë makth, me këtë histori dhe me këtë depresion. Nuk jetojmë dot, nuk festojmë dot, sepse na mungon një pjesë e shpirtit,” shprehet ajo.

Nëna e Bleonës akuzon drejtpërdrejt strukturat e rendit, duke thënë se hetimet nuk janë kryer siç duhet dhe se personat e përfshirë nuk janë mbajtur përgjegjës. “Uniformat blu duhej të kishin punuar siç duhet. Pesë vajzat nuk mbajtën asnjë përgjegjësi,” thotë ajo.

Ajo rrëfen se çdo ditë e pret vajzën e saj me shpresën se një ditë do t’ia dëgjojë sërish zërin dhe do t’ia festojë ditëlindjen. Bleona, sipas saj, është ende e pranishme në çdo detaj të jetës familjare: në kalendarin me fotot e saj, në gotën nga e cila pi ujë, në sendet e përditshme që mbajnë kujtimin e saj gjallë.

Deklarata e saj;

Jetojmë me këtë makth, me këtë histori e me këtë depresion. Nuk jetojmë dot, nuk festojmë dot, sepse na mungon një pjesë e shpirtit. Unë, si nënë, nuk i kam humbur shpresat dhe nuk do t’i humbas kurrë, por ndonjëherë jam e mbushur me urrejtje, sepse uniformat blu duhej të kishin punuar siç duhet. Pesë vajzat nuk mbajtën asnjë përgjegjësi.

E pres vajzën time me padurim. Besoj se një ditë do t’ia dëgjoj zërin, do t’ia festoj ditëlindjen. Ajo është pjesë e familjes sonë. Kalendari është me fotot e saj, stilolapsi, gota ku une pi ujë, gjithçka mban foton e Bleonës.

Jetoj te prindërit, sepse nuk jetoj dot aty ku më humbi Bleona. Jetoj me djalin tim, është 19 vjeç. Derisa të kem frymën e fundit, nuk do të ndaloj së kërkuari Bleonën. Djali më thotë se do ta ndjekë këtë çështje edhe në rrugë private.

Qamilja ka dashur t’i marrë të dy fëmijët, por djali u kthye, vajzën ma mori. Shteti nuk më ka ndihmuar. Bashkia e Kukësit e di historinë time, komuna po ashtu. Unë çdo pjatë që mbush, nuk e ndaj kurrë pa ia mbushur edhe Bleonës.

Shteti nuk punoi siç duhet. Kriminelët i ka në dorë, situatën e ka në dorë, vetëm Bleona mungon. Dua të kem një takim me kryeministrin e Shqipërisë. Ai mund t’i japë urdhër SPAK-ut dhe prokurorisë që të thërrasin menjëherë pesë vajzat. Ato nuk janë pyetur siç duhet, u pyetën dy orë me makiato, pica e hamburger.

E dua këtë takim sa më shpejt. Dua drejtësi për vajzën time, sepse shpirti po më përvëlohet.


Shtuar 16.12.2025 19:37